Eksperti i Kuvendit ngre pikëpyetje mbi vendimet e Kushtetueses për Xhaçkën

Eksperti Krenar Loloçi i rekomandon Kuvendit që të marrë masa për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që kritikon anashkalimin e së drejtës së 1/5 së deputetëve për ta vënë në lëvizje atë përmes rrëzimit të kërkesës për ta shqyrtuar çështjen në themel.

 

Këshilli i Legjislacionit njoftoi mbledhjen e radhës të martën për të dëgjuar opinionin e ekspertit Krenar Loloçi për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo gjykatë shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mocionit për papajtueshmëri të mandatit për ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.

Në njoftimin që u është shpërndarë deputetëve pasditen e së hënës, rendi i ditës parashikon paraqitjen e opinionit të ekspertit të kontraktuar nga Kuvendi dhe caktimin e një afati kohor për Këshillin që të hartojë raportin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Të ndarë në dy grupime, deputetët e opozitës bënë dy kërkesa të ndryshme për heqjen e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik dhe me vendim qeverie iu dha e drejta e përdorimit të brigjeve në Dhërmi.

Pasi mazhoranca votoi kundër dërgimit të papajtueshmërinë së mandatit në Kushtetuese, të dyja grupimet e Partisë Demokratike iu drejtuan me kërkesa të veçanta kësaj gjykate.

Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e 1/10 së deputetëve dhe riktheu çështjen në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues vendimin e mazhorancës që bllokonte dërgimin e çështjes në Kushtetuese.

Në vendimin tjetër, Gjykata Kushtetuese pushoi kërkesën e 1/5 së deputetëve që kërkonin trajtimin në themel të çështjes dhe marrjen e një vendimi për papajtueshmërinë e mandatit, duke mos e legjitimuar si subjekt që vë në lëvizje gjykatën për këtë çështje.

Duke analizuar këto dy vendime, eksperti konstitucionalist në opinionin e tij me shkrim për Këshillin e Legjislacionit, që disponohet nga BIRN, del në përfundimin se vendimet janë të detyrueshme për Kuvendin dhe në këtë rast, mocioni i 1/10 së deputetëve duhet të dërgohet në këtë gjykatë, pasi është i vetmi organ që shqyrton papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Gazment Bardhi, nëse shumica parlamentare vendos që të mos zbatojë vendimin e GJK dhe të rrëzojë përsëri kërkesën e 1/10 së deputetëve, Loloçi arsyeton shkurt se: “Vendimi i GJK është i detyrueshëm dhe Kuvendi duhet të marrë masat ta zbatojë atë, siç ka vepruar edhe më parë kur GJK është shprehur me vendim”.

Ndërkohë, Loloçi e konsideron vendimin e dytë të Gjykatës Kushtetuese që rrëzon kërkesën e 1/5 së deputetëve për ta shqyrtuar çështjen në themel si në kundërshtim me normat kushtetuese dhe vetë praktikën e kësaj gjykate.

“Për mendimin tim dhe të disa ekspertëve të tjerë kushtetues, përfshi këtu edhe anëtarët e GJK që kanë shprehur opinionet e tyre në mendimet e pakicës në vendimet e GJK, një qëndrim i tillë i GJK nuk është i drejtë dhe i bazuar, dhe GJK ndoshta lypset t’i kthehet këtij qëndrimi në të ardhmen për disa arsye,” shkruan Loloçi, duke sugjeruar një qartësim të normave kushtetuese nga ligjvënësi.

Ai shton se, në analizën e gjithë vendimeve të marra nga GJK, “nuk gjetëm qoftë edhe një paragraf ku të argumentohet se përse GJK e anashkalon të drejtën kushtetuese të 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje GJK (nenet 131, pika 1(e), dhe 134, pia 1(c), të Kushtetutës), si dhe përse kjo e drejtë kushtetuese nuk mund të gjejë zbatim”.

Po ashtu, eksperti beson se në formulimet që janë bërë në vendimet e fundit të Kushtetueses kanë legjitimuar një subjekt të ri me të drejtën për të vënë në lëvizje këtë gjykatë, që është 1/10 e deputetëve, duke iu kundërvënë sipas tij edhe praktikës së saj të mëparshme.

“Ky qëndrim i GJK, në fakt, mund të konsiderohet sui generis, pasi, ndoshta për herë të parë, GJK bazohet jo në një normë procedurale kushtetuese për të legjitimuar një subjekt që t’i drejtohet asaj, por në një argument!” shkruan ai, duke e cilësuar këtë qëndrim të GJK si hyrje në “një territor që nuk i takon”.

Në përgjigje të pyetjeve të deputetes socialiste Klotilda Bushka nëse zbatimi i këtyre vendimeve sjell nevojën për ndryshime në ligje të posaçme apo në rregulloren e Kuvendit, eksperti përgjigjet se zbatimi i tyre nuk varet nga kjo.

“Rregulli është që shqyrtimi i një çështjeje nga GJK ose zbatimi i detyrueshëm i vendimeve të GJK nuk mund të lidhet e as të varet nga nevoja që mund të shtrohet para një organi për të bërë shtesa dhe plotësime të akteve të brendshme të tij, qoftë ky edhe Kuvendi i Shqipërisë. E thënë kjo, sigurisht, Kuvendi është i lirë të bëjë ndryshime, shtesa ose plotësime ligjore që i shikon të përshtatshme për të rregulluar marrëdhënie ose situata të caktuara,” përgjigjet ai.

Loloçi analizon dhe kompetencat për vendimmarrje për mandatin e deputetit, sipas pikës 3 dhe pikës 2 të nenit 70, pasi pika 2 sugjeron që është Kuvendi që vendos në rastet kur papajtueshmëria lidhet me konfliktit të interesave. Sipas ekspertit, nuk mund t’i lihet një shumice politike, cilado qoftë ajo, që të vendosë për mandatin e një prej anëtarëve të saj.

Ai vlerëson faktin që vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në këtë rast kërkon nga Kuvendi që t’i lihet kësaj gjykate për të vendosur nëse shqyrtimi i papajtueshmërisë është i natyrës kushtetuese ose jo.

Mocioni për mandatin e Xhaçkës nisi që në qeshor të vitit të shkuar kur opozita, ndërmjet 1/10 së deputetëve, ndërmori një mocion për papajtueshmërinë e mandatit të saj. Vendimmarrja mbeti peng i zvarritjes me procedura për disa muaj në Këshillin e Mandateve deri në nëntor, kur Kuvendi me votat e PS-së rrëzoi raportin e pakicës dhe detyroi atë që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për zgjidhje të kompetencave mes Kuvendit dhe të drejtës së 1/10 së deputetëve./Reporter

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne