Sociale

Fillimi i vitit shkollor 2020-2021, Besa Shahini jep detaje dhe i përgjigjet pyetjeve që shqetësojnë nxënësit

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka dhënë detaje të tjera në lidhje me mënyrën e zbatimit të udhëzimit për fillimin e vitit shkollor 2020-2021.

Ajo fillimisht theksoi se udhëzuesi i vitit të ri shkollor është konsultuar gjerësisht me grupet e interesit të Arsimit Parauniversitar, si sindikatat, këshillin e prindërve, drejtuesit e shkollave, grupe mësuesish e nxënësish. Ajo tha se të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre që ky të jetë një dokument sa më gjithëpërfshirës dhe i zbatueshëm në Arsimin Parauniversitar në Shqipëri dhe shtoi se komunikimi i mënyrës së aplikimit do të komunikohet tek prindërit dhe nxënësit nga vetë mësuesit apo drejtuesit e shkollave.

Ministres Shahini i janë drejtuar shumë pyetje dhe u është përgjigjur disave prej tyre.
Pyetjes “A do ketë mundësi mësimi online për ata fëmijë që duan të ndjekin mësimin në kushte shtëpie?”, ajo i është përgjigjur se edhe leksionet në RTSH, të cilat do të xhirohen paralelisht me leksionet që do të bëhen në shkollë, si dhe platforma unike që do të përdoret për mësimin online, do jenë në dispozicion të të gjithë nxënësve, të cilët për arsye të ndryshme nuk do të marrin pjesë në procesin mësimor që do të zhvillohet në shkollë.
“Kemi nxënës që kanë sëmundje kronike. Atyre mund tu duhet që të qëndrojnë në shtëpi për shkak se rrezikohet siguria e shëndetit të tyre. Në këtë rast këta fëmijë do të punojnë kryesisht përmes mësimit online dhe do ndjekin leksionet në RTSH, gjithmonë duke mbajtur kontakt me mësuesit e tyre që mund të vlerësohen dhe të ndjekin mësimet bashkë me moshatarët e vet” – tha ministrja Shahini.

Ndërkohë për pyetjen se “kush i përcakton lëndët kryesore”, ministrja Shahini tha se përcaktimi i lëndëve kryesore ndodh në kurrikul. Lëndët që kanë më shumë orë mësimi në javë janë ato që ne i quajmë lëndë kryesore, si gjuha shqipe, matematika, lëndët e shkencave. Ato lëndë që kanë nevojë për më shumë përqendrim nga nxënësi.
Ajo theksoi se në shkollat ku numri i nxënësve është më i vogël dhe mund të ruhet distanca sociale, aty do të zbatohet i tërë plani mësimor në kushte shkolle. Në shkollat që do të ndahen në grupe dhe do të punojnë me turne do të fokusohemi më shumë tek lëndët kryesore, ndërsa lëndët e tjera do të bëhen të kombinuara edhe me mësim në kushte shtëpie. Edukimi fizik do të zhvillohet në ditët kur moti e lejon të zhvillohet jashtë në oborrin e shkollës.

“Çdo shkollë do të ketë një kujdestar kati që sigurohet për mbarëvajtjen e procesit mësimor, që hyrje -daljet nëpër klasa të jenë të rregullta dhe me distancim fizik ruhet” – shton ministrja.

Një tjetër pyetje ishte “Përse nuk lejohet ushqimi në klasë?”. Shahini tha se ushqimi në klasë nuk do të lejohet sepse paraqet rrezik për shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Nëse konsumohet ushqim në klasë, nënkupton që maska duhet hequr dhe nxënësit e tjerë ekspozon dhe mund të prekin gojën me duar që mund të mos jenë plotësisht të dezinfektuara.

E pyetur nëse dezinfektimi do të bëhet midis turneve apo çdo ditë, dhe nëse do të jetë dezinfektim profesional apo të thjeshtë, Shahini tha se dezinfektimi ditor është ai që bëjmë edhe në shtëpi, duke pastruar të gjitha sipërfaqet, korridoret, tualetet, pra është dezinfektimi që ndodh rregullisht në shkollë. Por me shumë kujdes dhe me preparate që janë të përshtatshme për të luftuar virusin.

Ministrja Shahini në përfundim të publikimit video-selfie, kërkoi që të mos hezitojnë ata që kanë pyetje, dhe shtoi se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë që tu përgjigjet pyetjeve të tyre. /BW

OPINIONE

INTERVISTA