Rajoni

Fitore e thellë e Vetëvendosje, disfatë e rëndë për LDK

Qe në votat e para të numëruara të zgjedhjeve të së dielës në Kosovë u vu re se Vetëvendosje e Albin Kurtit do të kishte një rezultat të thellë. Tashmë që janë numëruar 87,19% e votave është e qartë fitorja bindëse e kësaj force.

Sipas të dhënave paraprake që jep KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 47,81% të votave.
Surpriza është renditja në vend të dytë e PDK-së që në këtë fushatë u drejtua nga Enver Hoxhaj me 17,34% të votave e ndjekur nga LDK me 13,36% të votave. Një zhgënjim i thellë për forcën e udhëhequr nga Isa Mustafa që duket se ka marrë një “shuplakë të fortë” edhe në bastionet e saj. Në asnjë nga komunat e Kosovës ajo nuk është më forcë e parë ndërsa ka marrë gjysmat e votave të zgjedhjeve të 2019-ës.

Sipas rezultateve zyrtare paraprake, më pas vjen AAK me 7,49% të votave. Deri tani NISMA ka 2,72% të votave duke mos e kaluar pragun për të hyrë në parlament. Mbeten të numërohen edhe votat e diasporës që këtë herë janë të shumta.

Me një përllogaritje paraprake jo-zyrtare të bërë nga mediat e Kosovës, Vetëvendosje merr 55 deputetë, PDK merr 21 deputetë, LDK merr 15 deputetë dhe AAK do të përfaqësohet me 9 deputetë ndërsa 20 deputetë të tjerë janë të përcaktuar për minoritetet.

Fitorja e Vetëvendosjes u paralajmëruar edhe nga disa EXIT POLL-e që u publikuan menjëherë sapo u mbyllën qendrat e votimit. Me publikimin e këtyre të dhënave paraprake, mbështetësit e Vetëvendosjes nisën festën në rrugë pavarësisht të ftohtit të acartë dhe masave të pandemisë.

Kurti: Nuk do të ketë hakmarrje

Pas daljes së këtyre rezultateve kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albin Kurti ka dalë para mbështetësve që ishin mbledhur te selia dhe gazetarëve duke thënë se u vërtetua se zgjedhjet ishin një referendum për drejtësi.

“Ky referendum për drejtësi e punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nuk do të hakmerremi ndaj askujt, por do të kërkojmë përgjegjësi”, – tha ndër të tjera Kurti.

Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë.

“Nuk do ta kemi prioritet krijimin e ekipit të dialogut me Serbinë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu është në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë dhe u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”, – theksoi Kurti.

Ndërsa kandidatja për presidente nga radhët e VV-së, Vjosa Osmani tha se qytetarët dëshirojnë një kapitull të ri.

“Qytetarët e Kosovës e dinë kur është mjaft, e dinë se është koha për një kapitull të ri. Përgjegjësia që na e keni dhënë është po ashtu një nder i madh. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen”, – ka shtuar Osmani.

Krerët e LDK reagojnë pas disfatës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka reaguar pas daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve të së dielës. Edhe pse partia e tij u përgjysmua në vota, krahasuar me zgjedhjet e fundit, Mustafa tha se kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë një punë të shkëlqyeshme. Ai premtoi se LDK do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve, por nuk përmendi dorëheqje duke thënë se do të punohet që të kthehet vizioni rugovian i LDK-së.

Një reagim për mediat ka bërë edhe kandidati i LDK-së për kryeministër Avdullah Hoti. Ai tha se do të marrë përgjegjësinë e plotë për rezultatin.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se forca e tij do të qëndrojnë në opozitë.

“PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje sepse kemi dallim të madh në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis mbi vlerat në të cilat është ndërtuar dhe qëndron PDK-ja”, – tha Hoxhaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhje ishte mbi 47.08%. kjo është një pjesëmarrje më lartë se në zgjedhjet e vitit 2019 kanë votuar 44.18%.

Policia e Kosovës tha se gjatë procesit të votimit ka pasur incidente të vogla që nuk e cenojnë integritetin e procesit. Janë raportuar persona që fotografonin votën apo të tjerë që kanë tentuar të votojnë më shumë se një herë. Shqetësim në Prishtinë ka qenë se në orët e fundit ka pasur fluks votuesish dhe se në disa qendra mungonin fletët e votimit. ©LAPSI.al

OPINIONE