Ekonomi Shqiperia

FMN kërkon nga Qeveria shqiptare të shlyejë borxhet

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare të shlyejë sa më shpejt detyrimet e prapambetura ndaj biznesit.

Në një vlerësim të hollësishëm mbi administratën tatimore, FMN vëren se borxhet e prapambetura të qeverisë për rimbursimin e TVSH-së u rritën sërish vitin e kaluar, duke arritur në 14.8 miliardë lekë, ose rreth 120 milionë euro.

“Integriteti dhe besueshmëria e sistemit tatimor varet në rimbursimin e shpejtë të TVSH-së. Është shqetësuese që detyrimet e prapambetura janë rishfaqur”.

Në analizën e sistemit tatimor, FMN përsëriti kritikat për vendimin e qeverisë, që përfshiu biznesin e vogël në TVSH, duke theksuar se kjo masë ka rritur kostot pa sjellë të ardhura për buxhetin.

“Futja e biznesit të vogël në TVSH do të ketë impakt të vazhdueshëm negativ në kostot e biznesit dhe punën e Tatimeve, pa sjellë të ardhura domethënëse”.

Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve negative, FMN ka vlerësuar administratën tatimore dhe përmirësimin e rendimentit fiskal në 3 vitet e fundit.

“Të ardhurat nga taksat janë rritur, nga 23.8% e prodhimit kombëtar që ishin në 2015-n, në 26% në fund të 2017-s, duke reflektuar rigjallërimin e ekonomisë. Tatimet kanë bërë progres të mirë në administrim, i cili duhet të ruhet”.

Sipas FMN-së, këto arritje kërcënohen nga ngushtimi i bazës fiskale, veçanërisht favoret e taksave që qeveria ka bërë për sektorë të veçantë si turizmi apo prodhuesit farmaceutikë, apo të tjerë, çka komplikon sistemin dhe hap shtigje për evazion.

OPINIONE