Fondet e BE për bujqësinë/ SPAK gati fletë-arrest për Frida Krifcën, ndau paratë me bosët e krimit

Burime të besueshme tregojnë se po përgatiten fletë-arreste për emra të rëndësishëm që kanë firmosur e dirigjuar fondet e BE për bujqësinë, të cilat po hetohen nga prokurorët SPAK, ku mes emrave është edhe ish drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca. Mësohet se dy prokurorët kanë bërë një hetim të plotë e përfekt ligjor, aq sa nuk mund ti kundërshtojë asnjë avokat në gjyqin e pritshëm.

Një hetim i zyrës së BE-së kundër mashtrimit, zbuloi “keqpërdorim serioz të fondeve të paraanëtarësimit të BE-së për bujqësinë” në Shqipëri dhe rekomandoi bllokimin e paketës 112 milionë euro për programin pasardhës të ndihmës. Kështu shkruante gazetari i njohur i BIRN, Gjergj Erebara.

Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, pati njoftuar zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Skandali është bërë me fondet që Bashkimi Evropian ka dhënë për zhvillimin bujqësor e rural të Shqipërisë përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPARD II), dhe nisi pasi disa nga qytetarët shqiptarë që aplikuan për fonde, denoncuan zyrën shqiptare për praktika korruptive.

Sipas OLAF, hetimi i tyre zbuloi se aplikuesve u kërkohej të paguanin një përqindje të lartë të grantit te kompani konsulence “të parapërzgjedhura” të cilat lehtësonin realizimin e kontratave me Agjencinë Shqiptare për Zhvillim Rural (ARDA), e cila shpërndante fondet. Por edhe se fondet u përdoren për qëllime të tjera korruptive.

Pas një serie hapash hetimore, përfshirë kërkime forensike digjitale të dokumenteve të lidhura me përfituesit e IPARD II, ARDA dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve. Mes parregullsive të identifikuara ishte “kërkesa që u bëhej aplikuesve për të paguar një pjesë domethënëse të grantit te një kompani vendëse konsulence” si dhe “kontrata të dhëna pa garë ose me garë të falsifikuar” apo “çmime të inflacionuara dhe shkelje të kontratave”.

OLAF rekomandoi gjithashtu që BE të ndalojë programin IPARD III me vlerë 112 milionë euro “deri sa të merren masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së nga aktivitetet ilegale”.

OLAF shton se një kopje e gjetjeve është dërguar te autoritetet shqiptare për shkak të “aktiviteteve të mundshme kriminale” të zbuluara gjatë hetimit.

Ndërkohë SPAK po mbaron hetimin final dhe ka në tavolinë emrat për arrestime.

Burimet thanë se mundet që prokuroret ti firmosin para Krishtlindjeve fletë-arrestet.

BE mezi pret penalitetet për personat që abuzuan me dhjetra milionë euro, të cilat nga fonde për bujqësinë u kthyen në donacione miqësore për vila, kopshte, hotele, lokale turistike për emra të njohur.

Figurat e krimit e korrupsionit morën fondet e BE për bujqësinë

Kompania e trafikut të kokainës “Arbi Garden”, me pronar trafikantin Arbër Çekaj, ka përfituar 264 mijë dollarë nga fondet BE-së, përmes Ministrisë së Bujqësisë, për ndërtimin e 9 dhomave frigoriferike në Maninas, gjoja për ruajtjen e frutave.

Siç rezultoi më vonë, dhomat e ndërtuara me fondet e BE-së për bujqësinë, Arbër Çekaj i përdorte si hambar për kokainën që trafikonte nga vendet e Amerikës Latine, përmes Portit të Durrësit, kamufluar me kontenierët me banane.

Elvi Rroshi, një personazh me disa emra dhe i dënuar për përdhunim në grup në Itali, ka përfitur 250 mijë euro nga programi i IPARD përmes kompanisë “KAVALJON”, me letra dhe aplikim fals.

AZHBR-ja e ka ‘shpallur në kërkim’ Rroshin, ku i kërkon kthimin e parave pasi ka marrë lekët dhe nuk ka kryer investimin.

Agron Metvelaj, një trafikant i hershëm droge, subjekt i ligjit anti-mafia dhe që ka investuar paratë e pista në biznese, ka përfituar gjithashtu nga fondet për bujqësinë, përmes disa kompanive peshkimi (Fish love) dhe të birit. Metvelaj ka qenë ortak me Gjergj Lucën.

Biznesi i trafikantit të drogës është vizituar nga vetë Frida Krifca, në gusht 2023, kur ishte ende ministre e Bujqësisë, duke garantuar se do të vijonte mbështetjen me fonde.

Erjoni është një prej përfituesve të shumtë nga skemat e mbështetjes së ministrisë së bujqësisë, biznesi i të cilit është rritur falë investimeve që kanë transformuar tërësisht anijen e tij duke siguruar një vinç të ri, i cili e ndihmon në kursimin e kohës për mbledhjen e rrjetave të peshkimit, gjithashtu ka realizuar rinovimin e anijes, zëvendësimin e pjesëve dhe lyerjen e saj. Mbështetja do të vijojë edhe më tej përmes skemave tona, për të fuqizuar zhvillimin e sektorit dhe rritjen e ekonomisë të peshkatarëve ndërkohë që po punojmë për përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian“, u shpreh Krifca.

Agron Metvelaj është arrestuar në maj të vitit 2012, me qëllim ekstradimi në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar ardhur nga Interpol Roma “për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafik të lëndëve narkotike”.

Agron Metvelaj akuzohej edhe për pastrimin e parave të drogës në pasuri të paluajtshme.

Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja’, i konsideruar si ‘profesori i krimit’ në Fier, me aktivitet kryesisht në trafikun e drogës, rezulton në listë e përfituesve të fondit të BE për bujqësinë, rezulton edhe

Ben Qimja ka përfituar 294 mijë euro për ndërtimin e një sere në Dërmenas të Fierit.

Gjithashtu, Anila Isufaj, gruaja e Marjus Isufaj, një ish-drejtori të LSI që për gjashtë vite me rradhë ka drejtuar, Qendrën e Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos, e cila varet nga shoqëria tregtare “Albpetrol”, ka përfituar 255 mijë euro për ndërtimin e një sere në Sheq të Fierit. Marjus Isufaj njihet ndryshe edhe si miku i Ben Qimes./prapaskena

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne