Forcat afgane të mbështetura nga CIA akuzohen për “krime lufte”

Forcat afgane të mbështetura nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) kanë kryer të paktën 14 raste abuzimesh serioze, disa prej tyre në luftë, nga fundi i vitit 2017 deri në mesin e vitit 2019, tha Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” në një raport të publikuar sot, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në dokumentet e raportit prej 53-faqesh të vëzhguesit me qendër në SHBA thuhet se “forcat afgane të mbështetura nga CIA kanë kryer 14 raste të abuzimeve serioze midis fundit të 2017 dhe mesit të 2019”. “Këto paraqesin një model më të madh të shkeljeve serioze të ligjeve të luftës, që kanë të bëjnë me krime lufte, e që shtrihen në të gjitha provincat në Afganistan, ku këto forca paramilitare operojnë të pandëshkuara”.

Raporti i bën thirrje Kabulit dhe Washingtonit që menjëherë të shpërndajnë dhe çarmatosin të gjitha forcat paramilitare që veprojnë jashtë zinxhirit të zakonshëm ushtarak të komandës dhe të bashkëpunojnë me hetime të pavarura për të gjitha pretendimet për “krime lufte” dhe abuzime të tjera të të drejtave të njeriut.

“Në përforcimin e operacioneve kundër talebanëve, CIA u ka mundësuar forcave abuzive afgane të kryejnë mizori, përfshirë ekzekutime jashtëgjyqësore dhe zhdukje”, tha drejtoresha e organizatës për Azinë dhe autore e raportit, Patricia Gossman, me qendër në Kabul.

“Në raste të shumta, këto forca thjesht kanë qëlluar njerëz që ishin në kujdestarinë e tyre dhe kanë ekspozuar komunitete të tëra para terrorit të bastisjeve abuzive të natës dhe sulmeve ajrore pa dallim”, tha ajo në raport.

Raporti bazohet në intervistat me 39 banorë vendas dhe dëshmitarë të tjerë të bastisjeve të natës në provincat Ghazni, Helmand, Kabul, Kandahar, Nangarhar, Paktia, Uruzgan, Wardak dhe Zabul si dhe me grupe afgane për të drejtat e njeriut që kanë dokumentuar këto bastisje.

Që nga viti 2001, CIA ka zhvilluar operacione anti-terroriste në Afganistan paralelisht, por pak më ndryshe nga operacionet ushtarake amerikane. Ajo ka vazhduar të rekrutojë, pajisë, stërvisë dhe vendosë forcat paraushtarake afgane në ndjekje të forcave të Al-Kaedës dhe talebanëve ndërsa që nga viti 2014, edhe militantët e lidhur me DEASH-in, thuhet në raport.

OKB shprehu shqetësime të ngjashme në gusht për vrasjen e 11 civilëve gjatë festës së Bajramit nga forcat e tilla në qarkun Zurmat të provincës Paktya. Një banor i rrethit, Mohammad Umer, tha për AA se bastisjet e natës që u kryen nga forcat e ashpra të Njësisë 01 të Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë (NDS) në fshatin Gulal Koh lanë të vrarë 11 civilë.

Në mes të rifillimit të bisedimeve ende të brishta të paqes midis SHBA-ve dhe talebanëve, OKB-ja ka dokumentuar në korrik mbi 1.500 viktima civile, të paktën 50 civilë të vrarë ose të plagosur çdo ditë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne