Forcat e policisë turke dislokohen në Idlib

Agjencia e lajmeve Interfax njoftoi për vendosjen e forcave të policisë turke në provincën siriane të Idlibit.

Një burim lokal në një intervistë me agjencinë e lajmeve Interfax tha se trupat turke kanë filluar dislokimin në krahinën e Idlibit, duke shtuar se forcat policore turke synojnë të vendosen brenda zonës së reduktimit të tensioneve. Vendosja e Policisë turke në Idlib ishte pjesë e një marrëveshjeje të muajit të kaluar, sipas të cilës jo vetëm që u ra dakord për krijimin e tre zonave të reduktimit të tensionit në rajon, por u vendos që trupat iraniane, ruse dhe turke të monitorojnë zonat e reduktimit të tensionit në krahinën e Idlibit. Por arsyeja e pranisë së Turqisë në Idlib, si para Samitit të gjashtë të Astanasë, ashtu edhe pas tij, është afërsia e kësaj province me Turqinë. Po ashtu Idlibi ka rëndësi strategjike të dyfishtë, sepse është një nyjë e rëndësishme lidhëse e rrugëve strategjike që lidhin Damaskun me Alepon dhe Alepon me Latakian. Prandaj, që nga fillimi i krizës siriane, rëndësia e provincës së Idlibit është bërë shkak që shumë palë të përqendrojnë vëmendjen në këtë provincë. Për këtë arsye, që nga fillimi i krizës siriane, forcat turke të sigurisë kanë qenë vazhdimisht të pranishme në Idlib për të ndihmuar forcat e kontrolluara prej tyre në këtë rajon. Disa herë trupat e ushtrisë turke depërtuan në zonat kufitare dhe në qytetin kufitar Heram në Siri. Para marrëveshjes së Astanasë, një nga objektivat afatshkurtra të Turqisë ishte ruajtja e status quo-së së situatës ushtarake në provincën e Idlibit, në veçanti duke patur parasysh se çdo operacion i madh i forcave qeveritare dhe opozitës siriane në këtë provincë rrit valën e emigracionit të refugjatëve sirianë në tokën turke. Prandaj, kontrolli i Idlibit si një provincë fqinje e Turqisë e pengon përhapjen e krizës siriane në Turqi dhe për më tepër, pengoi rritjen e numrit të refugjatëve sirianë në Turqi. Vendosja e një aksi lidhës për dërgimin e pajisjeve ushtarake për grupet e opozitës që luftojnë qeverinë siriane ishte gjithashtu një qëllim i fshehtë i Turqisë për të dominuar Idlibin. Por ndoshta qëllimi më i rëndësishëm i Ankarasë në kontrollimin e Idlibit është ndalja e ndërhyrjes së kurdëve në këtë provincë në kuadrin e forcave demokratike siriane, të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Në veçanti, Ankaraja forcimin e kurdëve sirianë e konsideron si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare turke. Por, marrëveshja e Takimit të Gjashtë të Astanasë mbi praninë e trupave iraniane, ruse dhe turke në Idlib është bërë shkak për shqetësimin e qeverisë së Damaskut që vazhdon t’a shohë me dyshim praninë ushtarake turke në rajon. Arsyeja për këtë mosbesim duhet gjithashtu të kërkohet në kundërshtimin e Damaskut ndaj çdo ndërhyrjeje ushtarake turke në Siri, sepse Siria e konsideron praninë ushtarake të Turqisë në territorin e saj jo vetëm në kundërshtim me parimin e nevojës për t’u përballur me terrorizmin, por duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të Ankarasë lidhur me zhvillimet në Siri, Damasku konsideron se prania turke synon mbështetjen sekrete për grupet terroriste dhe opozitarët sirianë. Por duket se si rezultat i samitit të Astanasë, Moska ka qenë në gjendje të marrë garancitë e nevojshme nga Turqia për të luftuar seriozisht me terrorizmin dhe jo për të mbështetur kundërshtarët sirianë. Turqia, Irani dhe Rusia kanë theksuar se krijimi i zonave të reduktimit të tensionit në asnjë rrethanë nuk do të dëmtojë sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë. Edhe pse qeveria e Damaskut është skeptike për praninë e policisë dhe trupave turke në Siri, disa zyrtarë të afërt me Erdoganin besojnë ende se Turqia duhet të vazhdojë të mbështesë grupet terroriste në Siri, ndërsa ambicia e Erdoganit për të luajtur një rol të rëndësishëm në ekuacionet e rajonit nuk mund të mohohet./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne