Bota

Francë – 135 të lënduar dhe 974 të arrestuar në protestat e ditës së shtunë

Plot 118 civilë dhe 17 policë të lënduar është bilanci i protestave të “Jelekëve të Verdhë” ditën e shtunë anembanë Francës.

Numri është konfirmuar nga ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, i cili në një konferencë për mediat të shtunën vonë tha se në protestat mbarëkombëtare kanë marrë pjesë rreth 125.000 njerëz. Castaner shtoi gjithashtu se policia ka arrestuar 974 persona.

Në prag të protestës së djeshme ishin ndërmarrë masa të rrepta sigurie, përfshirë edhe anulimin e disa ndeshjeve të ligës së parë në futboll, ndërsa në gjendje gatishmërie ishin dhjetëra automjete të blinduara dhe 89.000 trupa ushtarake, përfshirë 8.000 në Paris.

Të shtunën, protestuesit e veshur me jelekë të verdhë u mblodhën përgjatë bulevardit të famshëm “Champs-Elysees” të kryeqytetit francez, ku dhuna e mëparshme detyroi dyqanet, restorantet dhe bankat të mbyllen.

Edhe gjatë ditës së djeshme, policia franceze përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve përgjatë bulevardit “Champs-Elysees”.

Protestat që filluan në Francë më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, u kthyen në protestat më të dhunshme në vitet e fundit./ TRT

OPINIONE