Francë, protestohet projektligji islamofobik dhe “separatist”

Përfaqësues të organizatave të shumta joqeveritare, viktimat e projektligjit “separatist” si dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, u mblodhën për të protestuar islamofobinë në Francë.

Turma u mblodh në afërsi të sheshit Trocadero në kryeqytetin Paris, nën udhëheqjen e Koordinimit Kundër Projektligjit të “Separatizmit”. Me arsyetimin se diskriminohen muslimanët, ata protestuan projektligjin “Parimet që Forcojnë Respektin për Vlerat e Republikës” i cili shënjestron muslimanët dhe për të cilin debatohet në parlament.

Hanane Loukili, një protestuese, në deklaratën për AA tha se ajo është në mesin e personave që janë viktimë të islamofobisë në Francë.

Ajo tregoi se shkolla ku ajo ka qenë administruese është mbyllur më 18 nëntor 2020 me arsyetimin se nuk ka mundur të plotësonte kushtet e sigurisë.

Loukili tha se më pas nëpërmjet një deklarate të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë së Parisit kanë mësuar se ishin inspektuar dhe vendosur në listën e zezë nga ekipet e platformës Lufta me Separatizmin “Islamik” dhe Komunitar (CLIR).

Ajo këto inspektime i cilësoi si dyfytyrësi pasi qëllimi i inspektimit, që u është bërë i ditur, ka qenë ndryshe nga ajo që është vepruar.

“Kujt t’i ankohemi se jemi diskriminuar nga qeveria?”

Loukili më tej tha se ata i janë drejtuar gjykatës për të apeluar, duke shtuar se vendimi për mbyllje duhet t’i përfshijë edhe institucionet tjera që shërbejnë për fëmijët në të njëjtën ndërtesë.

Ajo potencoi se si një nga viktimat e para të këtij procesi, janë mbledhur për të reaguar ndaj kësaj, ndërsa qeveria është në përpjekje për të krijuar një bazë legjitime për diskriminim me projektligjin.

“Kujt t’i ankohemi se jemi diskriminuar nga qeveria?”, shtoi Loukili.

Nxënësit u viktimizuan

Keltouma, një nxënëse e shkollës së mbyllur, tha se pavarësisht se shkolla e tyre njihet si një institucion që përqafon të gjithë, vendimi për mbyllje ka viktimizuar nxënësit.

Ajo duke tërhequr vëmendjen se janë privuar nga të drejta e arsimit, potencoi se nxënësit janë duke përjetuar vështirësi për të gjetur një shkollë tjetër.

Kryetarja e EuroPalestine, një shoqatë pro-palestineze, Olivia Zemor, theksoi se projektligji separatist është duke përgatitur terrenin për situata të rrezikshme.

Në lidhje me këtë metodë, ajo tha se rikujton politikën që Izraeli zbaton ndaj palestinezëve.

“Edhe Franca, i zgjodhi muslimanët viktima në fazën e parë, gjatë një periudhe të krizës së pashembullt social dhe ekonimik”, tha ajo.

Zemor fjalimin e saj e përfundoi me sloganin “Vazhdon lufta jonë nga Parisi në Gaza”.

“Kam frikë se nuk do të mund të largohem nga shtëpia ime një ditë sepse jam e mbuluar”

Ndërsa studentja Hadjar, tha se është pjesë e kësaj proteste për arsye se është viktimë e procesit.

“Jeta ime, që nga fëmijëria ime u formua me vendime shtypëse. Për shembull, në zgjedhjen e arsimit dhe profesionit nuk mund të bëj zgjidhje jashtë fushave të caktuara si një person me shami”, u shpreh Hadjar.

“Kam frikë se nuk do të mund të largohem nga shtëpia ime një ditë sepse jam e mbuluar”, shtoi ajo.

Hicham Gor, nga ana tjetër theksoi se me projektligjin “separatist”, në media rritet edhe urrejtja ndaj muslimanëve.

“Prania e një ligji që shënjestron muslimanët është shkelje e lirive të muslimanëve. Unë jam francez dhe musliman. Ky projektligj më shqetëson mua”, tha ai.

Fairouz Elaribi tha se “është një projektligj islamofobik. Është vetëm kundër muslimanëve. Bëhet diskriminim ndaj muslimanëve”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne