Rajoni

FSK synon të jetë pjesë e NATO-s

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit “Isa Boletini në Mitrovicë, deklaroi se formimi i ushtrisë nuk synon të rrezikojë askënd, por ajo do të jetë një forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

Duke falënderuar për kontributin e të gjithë aktorëve relevantë dhe parlamentarët për aprovimin e tri ligjeve për transformimin e FSK-s në ushtri të Kosovës, gjeneral Rama theksoi se FSK-ja me mision të ri në të ardhmen do të jetë forcë paqeruajtëse.

“Nuk është qëllimi ynë ta rrezikojmë dikë, dhe mbi bazën e këtij parimi, kemi pasur këto dy vitet e fundit, angazhim të madh njoftues në kryeqytet më të mëdha evropiane, ku qëllimi dhe synimi ynë ishte njoftimi për së afërmi me procesin e  transformimit të FSK-së”, u shpreh ai.

Gjeneral Rama theksoi se FSK-ja ka për objektiv që në të ardhmen të jetë pjesë e strukturave të NATO-s. Duke folur për shkollimin, trajnimet e pjesëtarëve të FSK-së, ai tha se djemtë dhe vajzat e FSK-së, kudo që kanë marrë pjesë, kanë qenë më të mirët, duke numëruar shtetet si SHBA, Gjermania, Turqia, Shqipëria, etj.

“Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me NATO-n, ne  kemi një ekip Këshillues në FSK, me të cilët bashkëpunojmë ngushtë dhe çdo gjë e bëjmë mbi bazën e standardeve të NATO-s”, tha ai.

Në fund nga studentët dhe stafi akademik ju  parashtruan shumë pyetje komandantit të FSK-së, gjeneral Ramës, që kishin të bënin me inkuadrimin e të rinjve në radhët e FSK-së, me mundësitë e shkollimit, trajnimit dhe perspektivën.

Etiketa

OPINIONE