Shqiperia

Fuga kundër Ramës: Të mos mbyllet Akademia e Shkencave

Akademiku Artan Fuga ka reaguar pas njoftimit të kryeministrit Edi Rama për të ndërprerë fondet për Akademinë e Shkencave. Fuga është shprehur kundër këtij vendimi, duke theksuar se Akademia është në momentin më të errët dhe se po vihet në diskutim ekzistenca e këtij institucioni. Ai tha se nuk duhen ndërprerë fondet për Akademinë, nëse kjo e fundit duhet reformuar.

“Akademia është në momentin më të errët. Problem është ekzistenca e Akademisë. Opinioni duhet ta dijë që nuk bëhet një institucion që të deklarohet se është mbyllur. Unë kam qenë kritik, por nuk jam për mbylljen. Dola kundër procesit të zgjedhjeve, se nuk ka qenë i rregull, por këtë proces e ka pasur në dorë edhe Lindita Nikolla. Nëse Akademia duhet reformuar, s’duhen ndërprerë fondet. Të pritet ligji i ri, kuadri ligjor, e pastaj të mendohet të alokohen fondet në drejtime të tjera. Nuk ka Akademi të pavarur në Shqipëri, që të dëgjohet zëri i komunitetit”, tha Fuga.

Më tej, ai foli dhe për reformimin e Akademisë dhe mënyrën si duhet të ndahen honoraret.

“Unë kam qenë kundër modelit monist që asambleja e Akademisë të drejtojë institutet, pasi ato duhet të jenë të pavarura. Akademia duhet të ekzistojë si forum i pavarur me shkencëtarët e Shqipërisë, jo zyrë dhe institucion që drejton me mënyrë sovjetike. Unë kam sjellë modele nga Franca e vende të tjera të modelit perëndimor”, shtoi më tej akademiku.

OPINIONE