Fundi i fabulës me racizmin antikosovar

Nga qeveria u largua dhe ministri i dytë i ardhur nga Prishtina, Gent Cakaj, duke i dhënë fund një eksperimenti të dështuar për integrimin e shqiptarëve të Kosovës në kabinetin e Tiranës.

Fiks dy vjet pas emërimit të tyre, në dhjetor 2018, ata rezultuan të panevojshëm në pragun e fushatës elektorale që po afrohet.

Po të lexohet me kujdes edhe dorëheqja e Cakajt edhe ajo e Shahinit, në të dyja rastet, jepet si motiv moskandidimi në zgjedhje.

Lexo me tej:

Komenti/ Ikën dhe Cakaj. Rama formaton qeverinë në funksion të zgjedhjeve

Pra është e qartë edhe njëherë se as emërimi, as qëndrimi dy vjeçar dhe as largimi nuk kishte lidhje me ekspertizën, aftësinë dhe kontributin e tyre personal në dikasteret që drejtuan. Ata liruan vendet pasi nuk i shërbenin dot aq sa duhet interesave elektorale të rilindjes, ashtu sikurse u afruan për qëllimet e pastra politike të Edi Ramës.

Kush e mban mend kontekstin, që ripërtëriu një traditë të ndërprerë që prej kohës së qeverive kuislinge të luftës së dytë botërore, e ka më të lehtë të kuptojë se përse Genti dhe Besa u parashutuan në Tiranë. Ishte periudha që Rama u shpreh për herë të parë nga foltorja e kuvendit të Prishtinës për një president të përbashkët mes dy vendeve. Ishte periudha kur gjatë një interviste në Ulqin edhe Thaçi edhe kryeministri ynë, guxuan të hedhin idenë e hapave unilateralë, nëse BE nuk nga jep mundësinë e një bashkimi brenda unionit.

Të gjitha këto provokime dhe sinjale ishin në kuadër të një projekti më të madh: atij të hartuar mes Vuçiçit, Thaçit dhe Ramës për të copëtuar territorin e Kosovës, duke e ndarë atë në një të ardhme, mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo lojë me harta, edhe Tiranës i jepte mundësnë të valviste flamujt e patriotizmit të rremë të bashkimit edhe Beogradin e çlironte nga pesha e pamundur e njohjes së një Kosove të pavaruar.

Analiza/ Kur Rama vizatonte harta me ndryshim kufijsh

Ka shumë indicie, deklarata dhe pohime se Edi Rama i shërbeu kësaj ideje. Emërimi i Gent Cakajt dhe Besa Shahinit u bë vetëm tre muaj pasi Hashim Thaçi e artikuloi atë me zë të lartë (gusht 2018).

Vetëm pas këtij parashtrimi mund të kuptohet më lehtë, polemika që shpërtheu pas deklaratave të ministres së arsimit në ikje, e cila foli për nota racizmi antikosovar në shoqërinë shqiptare. Kjo tezë e fortë, që e ndau debatin publik në dysh, duke u mbështetur edhe nga të tjerë, nisej nga premisa se sulmet ndaj dy ministrave të rinj nga Prishtina kishin në embrion elementë të anti kosovarizmit.

Deklarata e fortë e Besa Shahinit për racizëm ndaj kosovarëve në Shqipëri

Në fakt, flurudha e tyre e shpejtë në politikën e Tiranës tregoi se kjo tezë nuk qëndronte.

Nëse është e vërtetë se Besa Shahini dhe Gent Cakaj mbetën si mish i huaj për socialistët apo nuk u pranuan prej tyre, nëse u akuzuan dhe anatemuan ndoshta më shumë se ç’e meritonin, kjo vështirë të ketë pasur lidhje me origjinën prej nga vinin.

Refuzimi ndaj tyre, sipas të gjitha gjasave, ka të bëjë me përdorimin si vegla nga ana e Edi Ramës.

Ai i afroi në një kontekst të caktuar, jo për meritat e tyre në diplomaci dhe arsim, por për shkak të planeve rajonale që pati hartuar me Vuçiçin.

Ai i largoi po njësoj, jo se kishin dështuar në ministritë përkatëse, por se nuk i duheshin më në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.

Pra edhe fillimi i beftë i punës edhe largimi surprizues nga ministria e arsimit dhe ajo e jashtme, përbëjnë dy momente kyçe që tregojnë se përse edhe Genti edhe Besa mbajtën mbi supe më shumë fshikullime sesa meritonin: për faktin e thjeshtë se ata nuk u perceptuan dot si ministra të republikës por si kukulla të qëllimeve okulte të shefit.

Dhe kjo është e mjaftë që kritikat ndaj tyre të mos përdoren aspak si argumenta të ekzistencës së antikosovarizmit.

Por, nëse duhet me patjetër ta lidhim këtë histori me raportin e trazuar mes dy pjesëve të kombit, mund të thuhet tjetër gjë: mund të konkludohet se eksperimenti pervers i Edi Ramës, me reagimet e natyrshme që shkaktoi, ishte vërtet një shtysë për ta parë më shtrembër njëri – tjetrin.

©Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne