Fuqia e monumenteve

Mënyra e arsyeshme për t’u marrë me monumentet e së kaluarës do të ishte t’i shihje thjesht si objekte të historisë. Prapëseprapë, nuk është kaq e thjeshtë. Kush do të argumentonte se pas vitit 1945, rrugët dhe sheshet në qytetet gjermane duhej të vazhdonin të mbanin emrin e Adolf Hitlerit?

Spektakli i pështirë muajin e kaluar, me neonazistë që marshonin nëpër Charlottesville, Virxhinia, duke mbajtur mbajtur pishtarë dhe lëshuar parulla mbi epërsinë e racës së bardhë, u shkaktua nga planet e qytetit për të hequr një statujë të Robert E. Lee, udhëheqës i ushtrisë së konfederatës, e cila luftoi për të ruajtur skllavërinë në Jugun separatist gjatë Luftës Civile Amerikane. Statuja e gjeneralit Lee mbi kalin e tij ka qenë atje që nga viti 1924, një kohë kur linçimi i qytetarëve me ngjyrë nuk ishte një gjë e rrallë.

Frymëzuar nga ngjarjet që po ndodhin në Charlottesville, janë shfaqur tashmë në Britani persona që kërkojnë heqjen e admiralit Nelson në Sheshin Trafalgar në Londër, sepse heroi britanik i deteve mbështeste tregtinë e skllevërve. Dy vjet më parë, protestuesit në Universitetin e Oksfordit kërkuan heqjen e një skulpture të Cecil Rodos nga Kolegji Oriel, ku ish-imperialisti kish qenë dikur student, sepse pikëpamjet e tij mbi racën dhe perandorinë tani konsiderohen të papërshtatshme.

Gjithmonë ka patur diçka magjike në këtë lloj ikonoklastie, e cila mbështetet në besimin se shkatërrimi i një imazhi do të zgjidhë në një farë mënyre, problemet që lidhen me të. Kur protestantët anglezë sfiduan fuqinë e Kishës Katolike Romake në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, turmat i shkatërruan shenjtorët e gdhendur në gur me çekiçë dhe sëpata. Revolucionarët e shekullit të tetëmbëdhjetë bënë të njëjtën gjë me kishat në Francë. Shembulli më radikal ndodhi në Kinë vetëm pak më shumë se 50 vjet më parë, kur u shkatërruan tempujt budistë dhe u dogjën libra konfucianë – ose gjithçka e vjetër dhe tradicionale – për t’i paraprirë revolucionit kulturor.

Është e lehtë të neveritesh nga ky lloj shkatërrimi. Humbasin ndërtesa të mëdha dhe vepra arti. Kështu, nuk mund të mos mendosh se vetëm njerëzit që besojnë në fuqinë magjike të imazheve dëshirojnë t’i fshijnë ato. Mënyra e arsyeshme për t’u marrë me monumentet e së kaluarës do të ishte t’i shihje thjesht si objekte të historisë.
Prapëseprapë, nuk është kaq e thjeshtë. Kush do të argumentonte se pas vitit 1945, rrugët dhe sheshet në qytetet gjermane duhej të vazhdonin të mbanin emrin e Adolf Hitlerit? Nuk ishte sigurisht një gabim foshnjor heqja e skulpturave të Führerit – ose atyre të liderëve sovjetikë në Evropën Qendrore dhe Lindore pas vitit 1989. Mund të thuhet se imazhet e këtyre udhëheqësve dhe xhelatëve të tyre nuk kishin vlerën artistike të kishave të mëdha të Anglisë mesjetare, apo skulpturave budiste të Dinastisë Tang në Kinë. Por sërish, statujat e Gjeneralit Lee, zor se mund të ruhen për arsye artistike.

Pyetja është se ku duhet të tërheqim vijën e kufirit. A duhet të gjykohet një figurë historike nga sasia e gjakut në duart e tij? Apo duhet të krijojmë një kuadër kohor të përshtatshëm?

Mund të thuhet se monumentet që lartësojnë të këqinjtë e historisë, të cilët qëndrojnë ende në kujtesën e gjallë dhe vazhdojnë t’u shkaktojnë dhimbje e pikëllim viktimave të mbijetuara, duhet të hiqen dhe se çdo gjë e vjetër duhet të lihet në vend. Por kjo nuk funksionon. Argumenti për ruajtjen e një skulpture të Hitlerit në një vend publik, duke supozuar se një gjë e tillë ende ekziston, nuk mund të forcohet me kalimin e kohës.

Shumë njerëz në Jugun e SHBA argumentojnë se monumentet e Konfederatës duhet të mbrohen si kujtime të së kaluarës, si pjesë e një “trashëgimie” të përbashkët. Problemi është se historia nuk është gjithmonë neutrale. Ajo mund të jetë ende toksike. Mënyra se si tregojmë histori për të kaluarën tonë, dhe mbajmë kujtime të gjalla në objekte kulturore, ka shumë të bëjë me atë se si ne e shohim veten kolektivisht. Kjo kërkon njëfarë konsensusi, i cili shpesh nuk ekziston, sidomos kur ka pasur një luftë civile.
Rasti i Gjermanisë së pasluftës është mjaft i drejtpërdrejtë. Si Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore nisën të ndërtojnë të ardhme të përbashkët, në kontrast të drejtpërdrejtë me të kaluarën naziste. Vetëm një pjesë e turpshme, ende dëshiron të kapet pas kujtimeve të dashura të Rajhut të Tretë.

Megjithatë, deri më sot, autoritetet gjermane ndalojnë shfaqjen e imazheve naziste, duke pasur frikë se mund t’i joshë ende njerëzit të përsërisin episodet më të errëta të historisë së vendit. Kjo frikë është e kuptueshme dhe jo tërësisht joracionale. Tundime të tilla mund të bëheshin edhe më të forta, kur nazizmi do të zhdukej nga kujtesa e gjallë.

Britania e Madhe ka një histori të vonë, më pak traumatike. Pikëpamjet e Cecil Rhodes, ose admiralit Nelson, megjithëse mjaft konvencionale në kohën e tyre, sigurisht nuk janë më në modë sot. Ka shumë pak gjasa që shumë britanikë që e shohin Nelsonin në bustin e tij ose që kalojnë pranë Kolegjit Oriel, në Oksford, të frymëzohen për të mbrojtur skllavërinë ose për të ndërtuar një perandori në Afrikë.
Sidoqoftë, jugu i Amerikës është ende një problem. Të humburit në Luftën Civile nuk u pajtuan kurrë me disfatën e tyre. Për shumë jugorë, megjithëse jo të gjithë, kauza konfederative dhe monumentet e saj ende ndjehen të jenë pjesë e identitetit të tyre kolektiv. Megjithëse vështirë se dikush me mend në kokë, do të mbështeste rikthimin e skllavërisë, nostalgjia për Jugun e Vjetër ende është e ngjyrosur me racizëm. Kjo është arsyeja pse statujat e gjeneralit Lee përballë ndërtesave të gjykatave dhe vendeve të tjera publike janë të dëmshme dhe pse shumë njerëz, duke përfshirë edhe liberalët jugorë, dëshirojnë t’i shohin ato të hiqen.

Nuk ka zgjidhje perfekte për këtë problem, pikërisht sepse nuk është vetëm për imazhet e gdhendura në gur. Zemërimi në Jug është politik. Plagët e Luftës Civile mbeten të pashëruara. Pjesa më e madhe e jugut rural është më e varfër dhe më pak e arsimuar se sa pjesë të tjera të SHBA. Njerëzit ndjehen të injoruar nga elitat urbane bregdetare. Kjo është arsyeja pse shumë prej tyre votuan për Donald Trump. Shembja e disa statujave nuk do ta zgjidhë këtë problem. Kjo mund t’i përkeqësojë gjërat.

/Project Syndicate

/bota.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne