Bota

Fuqitë e Lindjes së Mesme marrin pjesë në samitin e Irakut, një goditje për ‘NATO-n arabe’

Samiti parlamentar i Irakut ka sjellë së bashku fqinjët e këtij vendi në atë që është përshkruar si “një shfaqje e unitetit të rrallë rajonal”, duke anashkaluar më tej një iniciativë të SHBA për të formuar një “NATO arabe”.

Samiti njëditor, i organizuar nga kryetari i parlamentit të Irakut Mohammed al-Halbusi, mblodhi të shtunën përfaqësues nga Iraku, Irani, Turqia, Arabia Saudite, Jordania, Siria dhe Kuvajti. Duke folur të premten, kryetari i ri i Parlamentit irakian përshëndeti delegacionet e huaja, duke e përshkruar Bagdadin si një qendër historike të “arabizmit, islamit dhe paqes”. “Iraku, krenar dhe fitimtar mbi terrorizmin, nderohet nga prania e fqinjëve të tij në Bagdad,” shtoi ai. Zëvendësi i tij, Bashir Haddad, tha se samiti do të ketë një ndikim “të rëndësishëm” në bashkëpunimin lidhur me sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ai e quajti samitin “një iniciativë të vlefshme dhe mundësi për partneritete strategjike midis Irakut dhe fqinjëve të tij”. “Ky është një mesazh pozitiv për të gjitha vendet fqinje dhe botën se Iraku është i vendosur të rimarrë rolin e tij dhe të kthehet në mjedisin e tij arab dhe rajonal dhe të marrë vendin e tij të ligjshëm në hartën e balancës së pushtetit”, shtoi ai. Kryetari i Parlamentit iranian Ali Larixhani përfaqësohet nga deputeti Alaeddin Boruxherdi, ish-kryetar i Komitetit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme. Samiti shënon edhe një zhvillim të rëndësishëm në një lulëzim të kohëve të fundit të bashkëpunimit diplomatik në rajon, që në vitet e fundit ishte kryesisht i shtangur nga konfliktet e përgjakshme. Pavarësisht pranisë së SHBA në Irak që synon të izolojë Teheranin, presidenti iranian Hasan Ruhani dhe kryeministri irakian Adel Abdul-Mahdi kanë shkëmbyer ato që janë përshkruar si vizita “historike” gjatë dy muajve të fundit. Samiti në Irak është një zhvillim i madh diplomatik për Damaskun, duke shënuar herën e parë në vite që Siria merr pjesë në një tubim, ku gjithashtu marrin pjesë Turqia dhe Arabia Saudite. Siria dhe Iraku janë inkurajuar nga dalja e tyre si triumfues përballë grupeve terroriste dhe militantëve të tjerë, me Iranin që ofron ndihmë jetike ushtarake në situatat më të ndjeshme. Beteja me terrorizmin i ka afruar më shumë tre fqinjët, duke i ndihmuar ata që të zgjerojnë lidhjet politike dhe ekonomike. Të premten, kryetari i parlamentit sirian Hammouda al-Sabbagh shprehu mirënjohje për ndihmën e Iranit për Sirinë, ndërsa u takua me z. Boruxherdi, duke thënë se “asnjë vend nuk na ka ndihmuar aq sa Irani”. Përfaqësuesi i parlamentit iranian e përshkroi takimin e Bagdadit si “një hap i rëndësishëm” në avancimin e “unitetit rajonal”. Pjesëmarrja e Arabisë Saudite në iniciativën e partneritetit rajonal ishte në kontrast të thellë nga planet e SHBA për të formuar një “NATO arabe” për të luftuar Iranin në rajon. Më parë këtë muaj, Egjipti u tërhoq nga aleanca anti-Iran, duke dobësuar më tej iniciativën amerikane. Samiti parlamentar i Bagdadit vjen pasi raportet tregojnë se zyrtarët irakianë po përpiqen të ndërmjetësojnë midis Iranit dhe Arabisë Saudite në muajt e fundit./ PT

OPINIONE