Si diplomatët shqiptarë përpiqen të ndikojnë dhe frikësojnë raportimet e mediave të huaja

Exit.al ka mësuar nga burime shqiptare dhe të huaja se ambasadorët shqiptarë në vendet perëndimore janë përpjekur të ndikojnë në mediat e vendeve të BE-së, të cilat raportojnë mbi ngjarjet në Shqipëri.

Pas disa artikujve kritikë mbi qeverinë Rama të botuar në mediat austriake, ambasada shqiptare në Vjenë u ka kërkuar takime botuesve dhe gazetarëve përgjegjës për këto shkrime, në përpjekje për t’i ndikuar ata.

Artikulli i parë i botuar në nëntor 2018 nga gazeta e rëndësishme konservatore Die Presse e përmendte Shqipërinë në kaudër të prirjes shqetësuese të afrimit me regjime si Turqia, Rusia dhe Kina.

Artikulli vuri në dukje se Shqipëria fiton “një pjesë të rëndësishme të të ardhurave të saj nga kultivimi i drogave të paligjshme” dhe i referohet Ramës si “një mik krejtësisht i mbaruar” që tani ka prirjen për të ndjekur të njëjtën linjë autoritare si Rexhep Taip Erdogani.

“Korrupsioni ka pasoja gjeopolitike. Rusia, Kina dhe Turqia përdorin klikën kriminale ish-komuniste në kufijtë e BE-së për të përhapur ndikimin e tyre. Në veçanti, rritja e ndikimit turk shpesh është nënvlerësuar. Nuk flitet vetëm për ndërtimin e xhamive dhe promovimin e pakicës kombëtare. Në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri, Erdogani po punon të vërë nën kontrollin e tij mysliman partitë, shoqatat, fondacionet dhe mediat.”

Gjithashtu, artikulli theksoi financimin e diskutueshëm të linjës Air Albania dhe të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke shkruar se Turqia është “lojtari kryesor” në të dyja projektet, duke bërë aludime se pjesë e marrëveshjes ishte pastrimi i parave.

Këto ndjenja u pasqyruan edhe një një artikull tjetër të portalit austriak, Paneuropa i cili bëri një sërë aludimesh për lidhjet ndërmjet Ramës dhe Partisë Socialiste dhe presionit politik nga Turqia.

Artikulli shpjegon se si në muajin mars, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit mysliman në Shqipëri zgjodhi, më dy të tretën e votave, drejtuesin Bujah Spahiu. Sidoqoftë, qeveria loboi për kandidatin tjetër Ylli Gurra.

Gurra konsiderohej si “kandidati i Presidentit turk Erdogan” dhe vëllai i Erdoganit ishte i pranishëm në Shqipëri gjatë kohës së zgjedhjeve. Sipas artikullit, përfaqësuesit e qeverisë turke në Shqipëri i bënë presion qeverisë për ta mbështetur atë.

Artikulli pohon se “kryeministri shqiptar Edi Rama, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla punuan fort për Gurrën” dhe i dhanë atij mbështetje të plotë.

Ndërsa ambasada shqiptare në Vjenë i mohoi ndërhyrjet e zyrtarëve turq në procesin zgjedhor gjatë takimit me ta, përfaqësuesit e portalit austriak nuk u bindën për shkak të besimit që ata kishin tek burimet e tyre të shumta.

Artikulli, gjithashtu, përshkruan kultivimine drogës në vend, i cili lidhet me “qarqet më të larta të qeverisë”, duke shtuar se qeveria akuzohet për përdorimin e parave të drogës për të blerë vota gjatë zgjedhjeve të vitit 2017.

Një tjetër artikull që me sa duket e zemëroi qeverinë shqiptare ishte ai që u botua në gazetën Der Standard, i cili i referohej Ramës si një “sundimtar autoritar”, duke vënë në dukje se ky realitet nuk po raportohej në mediat perëndimore. Autori gjithashtu akuzoi Ramën për shfrytëzimin e problemit serb/kosovar/shqiptar për përfitim personal politik.

Fakti që ambasadori shqiptar në Vjenë ka kërkuar të takojë redaktorët e gazetave nën urdhërat direkt të Kryeministrit është një çështje e rëndësishme. Rama është i njohur për kontrollin e tij mbi narrativën dhe mediat në Shqipëri, ndaj përpjekja për të ndërhyrë në mediat e huaja, përmes ambasadave, është një shembull shqetësues i përpjekjeve për të heshtur edhe kritikët e qeverisë jashtë vendit.

Por kjo nuk është hera e parë që administrata e Ramës është sjellë në këtë mënyrë me mediat e huaja.

Një burim tjetër, këtë herë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, sqaroi për Exit.al se një media në një shtet tjetër të BE-së kishte marrë një letër të ashpër, pas botimit të një artikulli mbi trazirat e tanishme politike në vend.

Korrespondenti i huaj kishte shkruar një artikull neutral për të raportuar protestat, duke përfshirë citime nga qytetarët shqiptarë, të cilët kishin treguar arsyet pse po manifestonin kundra qeverisë.

Kjo letër, e lexuar pjesërisht nga Exit.al, u pasua edhe nga një vizitë në person nga ambasadori shqiptar.

Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme dhe ambasadorët e përfshirë nuk ju përgjigjen pyetjeve të dërguara nga Exit.al në lidhje me politikën e tyre të udhëzimit të diplomatëve për t’u takuar me gazetarë dhe redaktorë kritikë ndaj regjimit të Ramës.

Lëvizjet e fundit të ndërmarra nga Rama ngjajnë me veprimet e regjimit komunist në Kinë. Sipas hetimit të fundit të Reporterëve pa Kufij zbulohet se qeveria kineze ishte përpjekur të heshtëte dhe të ndikonte mediat jashtë kufijve të saj. Raporti thekson se ambasadat kineze janë të njohura për prirjen e tyre për të kërcënuar gazetarët, duke sulmuar hapur portalet e mediat që kritikojnë vendin e tyre. Gazetarët në Kanada, Australi, Suedi dhe SHBA janë përndjekur dhe madje janë kërcënuar nga diplomatët kinezë që kërkojnë të censurojnë çdo kritikë të jashtme ndaj qeverisë së tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne