Futbollisti i Gazës humb shpresën për të ardhmen për shkak të gjenocidit izraelit

Futbollisti nga Gaza, Hamada Mohammed Hamad, i cili ka humbur shumë të afërm në bombardimet e Izraeli në Rripin e Gazës, thotë se ka humbur shpresën për të ardhmen. Duke folur për Anadolu, Hamada, babai i të cilit vuan nga cirroza e mëlçisë dhe është në gjendje kritike, tha se përballen me kushte të tmerrshme jetese dhe uri për shkak të bllokadës izraelite të enklavës.

“Nuk ka të ardhme në Gaza. Shkatërrimi është shumë i madh dhe dhimbja është shumë e madhe. Kishte një ligë profesionale futbolli në Gaza. Por, pas pushtimit (izraelit) të Gazës, unë kam braktisur futbollin për shkak të gjenocidit”, tha ai. 22-vjeçari tha se kishte luajtur profesionalisht për shtatë vjet, por humbi burimin e të ardhurave kur paga e klubit të tij u ndërpre pas luftës. Hamada tha se shoku i tij i skuadrës Rashid Al-Athamneh ra dëshmor si pasojë e sulmeve izraelite.

“Rashidi ishte një mik i ngushtë i imi dhe kapiteni i ekipit tonë. Pas kësaj kalova një periudhë sfiduese. Kur babai im u sëmur, mora përgjegjësinë për familjen time”, tha ai. Duke theksuar se shumë atletë kanë rënë dëshmorë në Gaza, Hamada tha se ish-lojtari i futbollit kombëtar palestinez, Suleiman al-Obeid, me nofkën “Pele palestinez”, i cili u vra nga Izraeli ndërsa priste të merrte ndihmë humanitare në Gaza, ishte vetëm një nga këta lojtarë.

Hamada ishte portieri i Ahli Beit Hanoun në ligën e Divizionit 1 të Rripit të Gazës përpara se Izraeli të fillonte bombardimet në enklavë. Ai thotë se ka ndryshuar jeta e tij që nga fillimi i gjenocidit të Izraelit në Gaza. Sipas tij, jeta sportive në Gaza ishte e thjeshtë dhe e mrekullueshme para sulmeve. Por, askush në Gaza nuk mund të stërvitet më për shkak të kushteve të vështira dhe mungesës së ushqimit dhe ujit, tha ai. “Jeta ime e përditshme ishte tërësisht rreth futbollit”, u shpreh Hamada.

“Më parë stërvitesha dhe përgatitesha vazhdimisht për ndeshje. Pas bombardimeve të 7 tetorit (2023), jeta ime ndryshoi plotësisht. Jam larguar nga futbolli dhe nuk luaj fare. Sot, mbaj ujë, pres dru dhe kujdesem për babanë tim të sëmurë dhe familjen time”, thotë futbollisti i Gazës.

Hamada tha se gjendja e tij fizike është përkeqësuar për shkak të mungesës së ushqimit dhe stërvitjes.

“Në Gaza, kisha një shesh lojërash të vogël ku unë dhe miqtë e mi shkonim të luanim futboll dhe të qëndronim në formë. Por, pasi u evakuova nga Gaza, nuk luajta më kurrë futboll”, shtoi ai. Lidhur me një plan të shpallur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për të ndaluar menjëherë sulmet, Hamada tha se shumë premtime i ishin bërë popullit të Gazës në të kaluarën, por nuk u përmbushën kurrë. “Nuk ka të ardhme në Gaza. Shkatërrimi në Gaza është i madh, dhimbja është e madhe”, tha ai.

Që nga 7 tetori 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë më shumë se 67 mijë palestinezë në Rripin e Gazës, kryesisht gra dhe fëmijë. Sulmet e kanë bërë enklavën të pabanueshme ndërsa bllokada e vazhdueshme e ka shtyrë më tej popullsinë drejt urisë./aa

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq