Gaza, protestë në mbështetje të palestinezëve të burgosur

Të afërmit e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite mbajtën një protestë në Rripin e Gazës në mbështetje të të afërmve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra të afërm të të burgosurve të cilët u mblodhën përpara ndërtesës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Gaza, me pankarta në duar kërkuan mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e palestinezëve nga burgjet izraelite.

Mustafa el-Muslumani, një ish i burgosur, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se “Jemi këtu për të vënë në dukje se i gjithë populli palestinez është në solidaritet me të burgosurit dhe për të përcjellë mesazhin se të burgosurit në burgjet izraelite nuk janë të vetëm”.

Edhe i ati i të burgosurit Rami Abdurabbu, Misbah tha se bashkësia ndërkombëtare përveç ndihmave në rastet e ndjekjeve penale të të burgosurve palestinezë, duhet t’i bëjë presion Izraelit për lirimin e të burgosurve.

Duke theksuar se qeveria izraelite nuk lejon as dërgimin e rrobave për të burgosurit, Abdurabbu kërkoi ndihmë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq për këtë çështje.

Sipas të dhënave të zyrtarëve palestinezë, në burgjet izraelite ndodhen rreth 7 mijë palestinezë të burgosur, 57 prej të cilëve janë gra dhe 300 fëmijë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne