Gazeta Bild ka paralajmëruar daljen e 10 përgjimeve të reja pasditen e së enjtes. “BalkanWeb” në mënyrë ekskluzive ka arritur të mësojë se materialet e reja lidhen përsëri me manipulimet e votave në favor të Partisë Socialiste në zonën e Dibrës.
Në to flitet sërish për blerjen e votave. Por edhe për shantazhe dhe mbledhjen e kartave të identitetit për votues të njohur si mbështetës të opozitës duke pamundësuar votimin e tyre.
Ndërsa në njërën nga bisedat e përgjuara, shefi i komisariatit të Dibrës, Robert Aga i mburret specifikisht ministrit Damian Gjiknuri, në atë kohë shef i shtabit elektoral për Dibrën, se ai bashkë me njerëzit e tij, ka aplikuar një strategji të tijën në mënyrë që PS të fitojë zgjedhjet.
Në 18 qershor BILD, gazeta më e madhe gjermane përmes gazetarit të saj, publikoi 16 përgjime nga ‘Dosja 184’ për zgjedhjet lokale të 11 shtatorit 2016 në Dibër, ndërsa në 5 qershor, Peter Tiede publikoi 6 përgjime që lidheshin me dosjen 339 dhe përfshinin periudhën e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit 2017./bw