Rajoni

Gazeta “The Guardian”: Po negociohet ndarja e Kosovës

Ndarja e Kosovës ka zënë vend sot në një artikull të gazetës prestigjioze britanike The Guardian. Sipas gazetës londineze që u referohet diplomatëve dhe politikanëve, me këtë opsion në tryezë, Kosovës po i përgatitet një skenar i tmerrshëm: Veriu i  bashkohet Serbisë, në këmbim të pranimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Gazeta britanike ka publikuar një shkrim të gjatë për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në artikull kanë folur Hashim Thaçi, Edi Rama, Bernard Kushner dhe figura tjera për sfidat dhe arritjet e Kosovës, por edhe diplomatët në kushte anonimiteti. Sipas The Guardian, përfaqësuesit diplomatikë kanë treguar se ndarja e Kosovës  është në tryezën e bisedimeve,  në një modalitet të rrezikshëm: Veriu i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB.

Gazeta prestigjioze britanike ka shkruar për ndarjen e Kosovës si një opsion që ndodhet në tryezën e bisedimeve.

Gazeta Express ka publikuar një seri shkrimesh ditëve të fundit rreth kësaj teme, në të cilën janë të përfshirë politikanë të nivelit të lartë në Kosovë, të Serbisë dhe Shqipërisë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mohuar ditë më parë se po diskuton me autoritetet serbe për ndarjen por disa herë në deklaratat e tij ka thënë se pas fundit të bisedimeve me Serbinë vendi do të mbajë një referendum pa specifikuar se për çka.

“Bisedat off the record me diplomatë dhe politikanë për ndarjen e mundshme të Kosovës – Serbia duke mbajtur veriun dhe këmbim të ulëses për Kosovën në OKB – janë rritur muajve të fundit”, shkruan The Guardian.

“Por shumë kanë frikë se kjo mund të nxisë një reagim zinxhiror për një konflikt të ri në Ballkan ku do të përfshiheshin Bosnja dhe Maqedonia multietnike si dhe serbët në Kosovën qendrore që lehtë mund rrezikohen nga përpjekjet për ndarje”, thekson gazeta.

“Do të ketë eksod të ri, shkatërrime të trashëgimisë dhe kaos”, citon The Guardian, priftin Sava Janjic, abat në Manastrin mesjetar të Deçanit.

“Nuk mund të besoj se ende ka njerëz që propozojnë ndarjen”, ka thënë Janjiç.

OPINIONE