Gazetarë sipërfaqësorë dhe deputetë kokëbosh akuzojnë lëvizjen Vetvendosje si përkrahëse të ish aleatëve të Millosheviçit

Një valë çmendurie ka prekur zëra të shumtë të medias dhe politikës kosovare që po e denoncojnë lëvizjen Vetvendosja si përkrahëse të ish aleatëve të Millosheviçit. Shkak për këtë është bërë një thirrje e partisë më të madhe në Kosovë, për të mbështetur në zgjedhjet gjermane të 24 shtatorit, formacionet e majta, që konkurojnë kundër Anxhela Merkelit. Kaq ka mjaftuar që shumë zëra, gjithashtu të kapluar nga ethet e fushatës së tyre zgjedhorë të akuzojnë Albin Kurtin për këtë akt të ri “trdhatëtie ndaj Kosovës”. Së fundi nga ky virus që ka prekur gazetarë sipërfaqësorë, deputetë kokëbosh dhe ish luftëtarë që janë sot në mërgim, i është bashkëngjitur edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Pa e përmendur drejtpërdrejt, me një skenar të denjë për teori konspirative, Haradinaj e ka komentuar qëndrimin e Vetëvendosjes për t’i përkrahur të majtët në Gjermani, si një borxh ndaj adresave të dyshimta, prej të cilave vetëvendosje ka marrë borxh.

“Lëvizjet e majta kanë përkrahur Millosheiçin. Ata kanë hy borxh në adresa të gabuara. Kanë marrë përkrahje prej qendrave të gabuara”, ka thënë Haradinaj. Në këtë frymë kanë foluer dhe deputetë të LDK-së, e cila i ka bërë thirrje simpatizantëve të saj në Gjermani të votojnë për Merkelin.

Në një shkrim autorial të botuar në Gazeta Express, Arbana Xhara ngre pyetjen:

“A e dini për kë po bën thirrje Albin Kurti, që të votojnë shqiptarët në Gjermani”? Dhe më pas përgjigjet: “Shumica absolute e bazave të së majtës gjermane ishte kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ata edhe sot saherë pyeten, thonë se çlirimi i Kosovës ishte gabimi më grotesk, fatal i perëndimit, ngase, sipas tyre, ndihmojë në “krijimin e një shteti artificial, kriminel” dhe të panevojshëm. Sot ç’është më absurdi: po nga ky fraksion i politikës gjermane vijnë akuzat për një asistencë të perëndimit në ndërtimin e një shteti “islamik” që rrezikuaka BE-në”.

Ndërsa deputetja e LDK-së Blerta Deliu ndihet e skandalizuar se si një shqiptar i Kosovës mund të guxojë të bëj thirrje për të votuar kundër Merkelit: “Kosovës nuk i duhen orientimet majtiste e asesi ato majtiste ekstreme siç është VV-ja. Kosova e ka provuar socializmin dhe komunizmin dhe jemi dëshmitarë të përjetimeve të tmerrshme të asaj kohe. Kosovës i duhet punë e madhe, zhvillimi i sektorit privat që është çelës i zhdukjes së krimit dhe korrupcionit, zhvillimit ekonomik dhe zhdukjes së papunësisë. Kancelarja Merkel e ka ndihmuar shumë Kosovën dhe po i bën presion të madh Vuçiçit për ta njohur pavarësinë e Kosovës”.

Në fakt e gjitha kjo tymnajë nuk ka asnjë lidhje reale. Së pari se e vetmja parti e majtë që citohet në komunikatën e vetvendosjes është SPD-ja, pra partia e ish kancelarit Shrëder që ishte në pushtet gjatë luftës së Kosovës. Aty nuk përmendet asnjë nga radikalët e majtë që i bëjnë të revoltohen injorantët e Prishtinës . Por edhe sikur mbi baza programore, ide të njëjta dhe një solidariteti ndaj një bote gjithnjë e më të pabarabartë, të mbështeteshin edhe këto parti, asgjë të keqe nuk do të kishte.

Por, tek ata njerëz që janë mësuar me servilizmin dhe nënshtrimin ndaj të medhenjve (në këtë rast Anxhela Merkel) ky qëndrim i Vetëvendosjes duket si skandal. Aq më i madhs ngjan mëkati kur dihet se për të qenë më pranë trendit të kohës dhe institucioneve ultraliberale të perëndimit, të gjitha partitë në kosovë (edhe ato që kanë pasur idhull Enver Hoxhën edhe ato që janë përkulur për Titon) janë shpallur të djathta.

Prandaj qëndrimi koherent me idetë e saj i vetëvendosjes ata i bën të shohin ëndrra me borxhe dhe lidhje të fshehta me aleatët e Millosheviçit. (Lapsi.al)

 

Komunikata e plotë e Vetëvendosjes

ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË GJERMANI KANË NEVOJË PËR MOBILIZIM TË GJERË KUNDËR TË DJATHTËS EKSTREME

Ditën e diel në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka ndjekur me kujdes të veçantë fushatën zgjedhore për shkak të rolit tejet të rëndësishëm të Gjermanisë në Bashkimin Evropian dhe më tej në nivel ndërkombëtar, për shkak të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane si dhe për rëndësinë që do të kenë këto zgjedhje për mërgatën shqiptare që jeton në Gjermani.

Në këto zgjedhje qytetarët e Gjermanisë përballen me një rrezik real të rritjes së ekstremit të djathtë ksenofob të përfaqësuar nga retorika dhe politikat populiste të propozuara nga partia “Alternative für Deutschland” – AFD – (Alternativa për Gjermaninë). Problemet ekonomike dhe socio-politike me të cilat përballen qytetarët e Gjermanisë nuk mund të gjejnë zgjidhje përmes anatemimit që bën AFD-ja ndaj kulturave dhe popujve të tjerë.

Përballë këtij rreziku, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje të gjithë mërgatës shqiptare që jeton në Gjermani që të angazhohet direkt në këto zhvillimeve kaq të rëndësishme, duke u interesuar së pari mbi programet politike të partive të tjera që janë në garë në këto zgjedhje.

Disa prej propozimeve të dhëna nga Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD) që lidhen me uljen e taksave për shtresën e ulët dhe të mesme, stabilizimin e pensioneve, zgjerimin e arsimit publik falas, si dhe investime të ndryshme publike dhe angazhimi për drejtësi sociale, janë pika programore të cilat përputhen edhe me programin politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Gjejmë rastin ta ftojmë mërgatën shqiptare ta shfrytëzojë të drejtën e votës duke marrë pjesë masivisht në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në datën 24 shtator 2017 në Gjermani.

Prishtinë, 22 shtator 2017
Lëvizja VETËVENDOSJE!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne