Gazetarët e Durrësit dënojnë dhunën policore

Deklaratë e UGSh Durrës

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Durrës dënon dhunën e ushtruar nga një punonjës policie ndaj një prej kolegëve në detyrë, gazetarit të Syri.net, teksa raportonte drejtpërdrejt protestën para Drejtorisë së Policisë Vendore Durrës.
Gjatë shoqërimit të disa të rinjve, gazetari Aldo Mustafa ka qenë në transmetim të drejtpërdrejtë duke raportuar protestën dhe dhunën që u ushtrua ndaj disa kalimtarëve të rastit. Ky fakt nuk i ka pëlqyer aspak njërit prej efektivëve dhe të raportuarit e së vërtetës e ka kthyer gazetarin në target sulmi të një prej policëve me uniformë. Ky punonjës duhet të mbajë përgjegjësinë përkatëse, ashtu si dhe eprorët e tij në lidhje me ngjarjen.

Ky nuk është rasti i parë kur gazetarët në Durrës fyhen, dhunohen teksa janë në krye të detyrës. Është koha për t’i thënë ndal dhunës ndaj medias. Kjo nuk është policia që duam.

Mbrëmjen e kaluar është shoqëruar në polici, teksa lëvizte drejt bulevardit ”Dyrrah”, edhe një tjetër punonjës i medias, ndonëse u ka deklaruar efektivëve të policisë se po largohej drejt banesës në përfundim të turnit në redaksinë e ”Durrës Lajm” ku punon si montazhier. Pa verifikuar pretendimin e të riut, ai është futur me forcë në furgon dhe shoqëruar në komisariat pa asnjë shpjegim.

Kërkojmë reagimin e drejtuesve të Policisë Vendore Durrës mbi ngjarjet e fundit, pasi heshtja në lidhje me aktet e dhunës dhe agresivitetin e vazhdueshëm të punonjësve të policisë ndaj gazetarëve në detyrë, është bashkëpërgjegjësi në këto akte që nuk duhet të kenë vend në shtetin e së drejtës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne