Gazetari i pavarur serb hyn në grevë urie kundër censurimit të medias

Vukasin Obradoviç, i cili krijoi Vranjske novine, një gazetë të përjavshme, të pavarur dhe të respektuar në qytetin jugor të Vranjes në Serbi, njoftoi të martën se do të futej në grevë urie në shenjë proteste për mbylljen e publikimit të tij dhe për rënien e lirisë së medias në vend.

Obradoviç tha se donte të tërhiqte vëmendje për “luftën e pakuptimtë për lirinë e medias që kam luftuar në tridhjetë vitet e fundit”.

Ai e njoftoi grevën e urisë një ditë pas shpalljes së mbylljes së gazetës Vranjske novine, të cilën e themeloi në vitin 1994, pasi pati probleme financiare.

Por aktivistët thonë se gazeta e tij ka qenë gjithashtu pre e presioneve politike, ndërsa Obradoviç shpesh ka qenë objekt i mediave pro-qeveritare, që e kanë përcaktuar si mercenar të huaj.

Obradoviç tha se vendimi i tij për të hyrë në grevë urie ishte lëvizje prej njeriu të dëshpëruar, por edhe e një gazetari, babai dhe burri i cili nuk është në gjendje të përballet me realitetin ku gjithë të tjerët janë mësuar”.

Gjatë sundimit të forcave serbe të Slobodan Millosheviçit, deri në vitin 2000, Vranjske novine ishte e vetmja media e pavarur në Serbinë jugore.

Nga vitet 2010 deri në 2017, Obradoviç ishte kreu i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë, NUNS, ku ka dënuar publikisht sulmet kundër lirisë së medias në vend pas rënies së theksuar të lirisë së fjalës në vitet e fundit.

Në shkurt të këtij viti, ai u largua nga NUNS, për arsye personale dhe u kthye në vendlindjen e tij Vranje.

Në muajt e fundit, tatimorët po hetojnë financat e Vranjske Novine. Deri më tani nuk janë ngritur akuza dhe nuk janë dhënë as gjoba.

NUNS tha të martën se mbyllja e Vranjske novine ishte rezultat i drejtpërdrejtë i presioneve të gjata politike mbi lirinë e medias dhe përfaqësonte “lajme të frikshme për profesionistët e medias”.

“Për fat të keq, numri i mediave që raportojnë në mënyrë profesionale në interes të qytetarëve dhe jo qeverisë është shumë i ulët,” tha NUNS në një deklaratë për shtyp.

Shoqata akuzoi autoritetet për përdorimin e institucioneve shtetërore për të mbytur mediat e pavarura duke ushtruar presion nëpërmjet institucioneve shtetërore, siç autoritetet tatimore dhe gjyqësori.

Reporterë Pa Kufij, thanë në Indeksin e fundit të Lirisë së Medias në Botë në prill, se ka pasur pengesa të mëdha në lirinë e medias gjatë vitit të kaluar në Serbi.

Raporti tha gjithashtu se liria e shtypit në Serbi ka “rënë që kur Aleksandër Vuçiç, ish-ministri i informimit të Sllobodan Millosheviçit, u bë kryeministër në maj 2014”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne