“Gërdeci”/ Familja e Durdaj kërkesë Gjykatës së Posaçme: Të përshpejtohet procesi ndaj Fatmir Mediut

Familja e Durdaj i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që të përshpejtojë procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Është kërkuar që ish-ministri të mos largohet nga vendi pa lejen e gjykatës.

Fatmir Mediu u mor i pandehur për 10 Janar 2023 dhe ndaj tij janë lëshuar dy akuza, ndërkohë që ai vetë i ka konsideruar akuzat si politike. Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

SPAK hetoi përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit të vitit 2008, ndërsa e regjistroi si procedim penal në tetor të vitit 2021. Procedimi penal u regjistrua për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues. Kjo lëvizje e SPAK erdhi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, në 24 shtator të 2021-shit riktheu për hetim në SPAK dosjen e “Gërdecit”. Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhej se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim. Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depos.

Kujtojmë se më 15 mars të vitit 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona që punonin atje, mes tyre edhe fëmijë. Veç viktimave, shpërthimi shkatërroi mijëra banesa e biznese./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne