Gjatë sezonit turistik në Shqipëri, fëmijë dhe gra trafikohen seksualisht

“Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë”, ky është me pak fjalë mesazhi kryesor i Raportit mbi Trafikimin e Personave të vitit 2018 për Shqipërinë.

Në raport jepen disa nga format e trafikimit brenda dhe jashtë vendit, ku nuk përjashtohen edhe fëmijët si viktima të prostitucionit, në veçanti gjatë sezonit turistik.

“Shqipëria është një vend burimi, tranziti dhe destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar. Femrat dhe fëmijët shqiptarë i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, sidomos gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rreme të tilla si oferta për martesë apo punësim për t’i detyruar viktimat të përfshihen në trafikimin seksual. Trafikantët përdorin gjithnjë e më shumë median sociale për rekrutim viktimash. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë të tjera forma punësh të detyruara, si shitje e artikujve të vegjël. Fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komuniteti rom, shfrytëzohen në rajon për punë sezonale. Pati edhe raste fëmijësh që detyroheshin të punonin në fusha kanabisi në Shqipëri dhe disa trafikantë me gjasë janë të përfshirë në trafik droge. Viktimat shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual kudo në Europë, sidomos në Kosovë, Greqi, Itali, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Norvegji,
Hollandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vende europiane dhe Filipinet iu nënshtruan trafikimit seksual dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migrantët e parregullt nga Azia punësohen gjithnjë e më shumë si punëtorë shtëpie nga familje të pasura ku janë të prekshëm nga kushtet e skllavërisë në familje” thuhet në raport.

Nga ambasada amerikane në Tiranë janë raportuar përpjekjet e pamjaftueshme të qeverisë për të marrë masa për kufizimin e trafikut. Në veçanti mbetet një shqetësim mosndëshkueshmëria e trafikantëve.

“Qeveria uli përpjekjet e ligjzbatimit. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal kriminalizonin trafikimin për qëllime seksi dhe pune dhe parashikonte dënime prej pesë deri 15 vjet burg dhe një gjobë midis dy milionë lekë ($18,080) dhe pesë milionë lekë ($45,210), të cilat ishin mjaftueshëm shtrënguese dhe, për sa i përket trafikimit për qëllime seksuale, në përpjestim me ato të parashikuara për të tjera krime të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e shtetit hetoi 69 raste me 80 të dyshuar (69 raste me 69 të dyshuar në vitin 2016); 22 nga këta të dyshuar në vitin 2017 u hetuan për trafikim të fëmijëve (22 në vitin 2016) dhe 58 për trafikim të rriturish (47 në vitin 2016). Zyra e Prokurorit të Krimeve të Rënda (ZPKR) ndoqi penalisht pesë të pandehur (18 në vitin 2016); dy nga këta të dyshuar u ndoqën penalisht për trafikim të fëmijëve (nëntë në vitin 2016) dhe tre për trafikim të të rriturve (nëntë në vitin 2016). Gjykatat dënuan shtatë trafikantë (24 në vitin 2016); një trafikant u dënua për trafikim të fëmijëve (11 në vitin 2016) dhe gjashtë për trafikim të rriturish (13 në vitin 2016). Të gjithë trafikantët e dënuar morën dënime me burg, të cilat variuan midis tetë vjet e tetë muaj në 17 vjet” thotë raporti.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne