Gjermania, Franca dhe Italia bëjnë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Libi

Gjermania, Franca dhe Italia u kanë bërë thirrje palëve ndërluftuese në Libi që “menjëherë dhe pa kushte” të ndërpresin luftimet dhe të përfshihen në bisedime për një marrëveshje të qëndrueshme dhe të besueshme të armëpushimit.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar mbrëmë, tre vendet anëtare të BE-së shprehën shqetësimin për rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë rajonale pas kërcënimeve të fundit për ndërhyrje nga Abdel Fattah al-Sisi, presidenti i Egjiptit fqinj.

“Duke pasur parasysh rreziqet në rritje për përkeqësimin e situatës në Libi dhe përshkallëzimit rajonal, Franca, Gjermania dhe Italia u bëjnë thirrje të gjitha palëve libiane që menjëherë dhe pa kushte të pushojnë së luftuari dhe të pezullojnë grumbullimin e vazhdueshëm ushtarak në të gjithë vendin”, theksohet në deklaratë.

Deklarata vjen pas kërcënimit të javës së kaluar nga al-Sisi, që është mbështetës kryesor i komandantit renegat Khalifa Haftar, për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi.

Qeveria e Libisë e njohur nga OKB kritikoi komentet “e papranueshme” të al-Sisit, duke thënë se ato janë “një deklaratë lufte”.

“Jepini fund ndërhyrjes së jashtme”

Në deklaratën e tyre të përbashkët, Gjermania, Franca dhe Italia u bënë thirrje të gjithë aktorëve të huaj që t’i japin fund çdo ndërhyrjeje dhe të respektojnë plotësisht embargon e armëve të Këshillit të Sigurimit të OKB.

Përkundër embargos, forcat e Haftarit kanë marrë furnizime të mëdha të pajisjeve ushtarake nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Rusia.

Haftar, i cili për një kohë të gjatë ngurroi që të ndërpresë luftimet, nuk pranoi të nënshkruajë një marrëveshje armëpushimi në konferencën e Berlinit këtë janar, përkundër mbështetjes së fuqishme nga fuqitë botërore dhe aktorët rajonalë për bisedimet e udhëhequra nga OKB për një zgjidhje politike.

Gjermania, Franca dhe Italia u kanë bërë thirrje palëve libiane të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga OKB përmes thirrjes së një takimi të “komitetit ushtarak 5 + 5”.

“Inkurajojmë përfundimin e shpejtë të negociatave brenda grupit punues 5 + 5 nën kujdesin e UNSMIL për të mundësuar nënshkrimin e një marrëveshje të qëndrueshme dhe të besueshme të armëpushimit”, theksojnë ata.

“Ky është një element thelbësor për të krijuar klimën e nevojshme për rifillimin konkret të dialogut politik ndër-libian i cili do të mundësojë një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit”, thuhet gjithashtu në deklaratën e përbashkët.

Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të sulmeve ushtarake nga forcat e Haftarit.

OKB e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritet legjitim të vendit pasi Tripoli lufton me milicitë e Haftarit.

Qeveria në mars nisi operacionin Stuhia e Paqes kundër Haftarit për të kundërshtuar sulmet e Haftarit mbi kryeqytetin Tripoli, dhe së fundmi çliroi vendet strategjike, duke përfshirë Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në Libinë perëndimore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne