“Gjermania kundërshton idenë e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi”

Deputetët të Bundestagut Gjerman Peter Bayer dhe Christian Schmidt, që po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë, janë takuar me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, duke i shprehur përkrahje atij për rrugën e Kosovës në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Bayer dhe Schmidt, të cilët vijnë nga grupet e deputetëve të Unionit Kristian Demokrat dhe Unionit Kristian Social, parti në pushtet, kanë thënë se Gjermania është e gatshme të punojë që Kosova t’i bashkohet familjes evropiane.

Siç njofton komunikata nga Zyra e Kryeministrit, deputeti Peter Bayer tha se e kundërshtojnë idenë e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi.

“Kemi folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështesim, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm. Ne do të jemi partner mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, ka thënë deputeti Bayer në prononcim për media pas takimit.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se shpresojnë në vullnetin politik të shteteve kryesore të Evropës për ta përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Haradinaj e vlerësoi gatishmërinë e dy vendeve për bashkëpunim ekonomik.

“Kosova ka një diasporë të madhe në numër në Gjermani dhe është e interesuar që ajo të jetë sa më e integruar në shoqërinë dhe shtetin gjerman dhe të kontribuojë në lidhjet sa më të fuqishme midis vendeve tona”, ka vlerësuar Haradinaj.

Në takim ishin të pranishëm edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, dhe shefi i Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS) për Kosovën, Johannes Rey./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne