Gjermania ndalon grupin neonazist “Artgemeinschaft”


Gjermania ka ndaluar organizatën neonaziste “Artgemeinschaft” dhe ka kryer bastisje në të gjithë vendin që kishin në shënjestër figurat kryesore të grupit ekstremist.

“Kjo është një tjetër goditje e fortë kundër ekstremizmit të krahut të djathtë dhe kundër piromanëve intelektualë që vazhdojnë të përhapin ideologjitë naziste edhe sot e kësaj dite”, deklaroi ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser.

Grupi i ngjashëm me kultin është i njohur për teoritë e tij neopagane dhe raciste dhe akuzohet se ka indoktrinuar fëmijët në mosha të reja me ideologji naziste dhe antisemitike.

“Artgemeinschaft” është i lidhur me shumë grupe të tjera të ekstremit të djathtë dhe me grupet e reja të djathta. Kjo organizatë lidh rryma të ndryshme të së djathtës ekstreme dhe kështu përbën një kërcënim të veçantë për rendin e lirë demokratik”, tha Faeser.

Në orët e para të ditës, policia bastisi shtëpitë e 39 anëtarëve kryesorë të organizatës dhe kreu kontrolle në 12 shtete federale, njoftoi Ministria e Brendshme.

Sipas autoriteteve, neonazistët dhe ekstremistët e krahut të djathtë përbëjnë kërcënimin më të madh për demokracinë dhe sigurinë e brendshme të Gjermanisë.

Në vitin 2022, ekstremistët e krahut të djathtë kryen 23.493 krime dhe 1.170 sulme të dhunshme që kishin objektiv emigrantët, refugjatët ose kundërshtarët politikë. Të paktën 675 persona u plagosën në këto sulme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress