TIRANË– Ndaj deputetit të Sali Berishës, Arjan Ndoja pritet të nisë një hetim për “pastrim parash” dhe “fshehje apo mos deklarim pasurie”. Me një vendim të gjyqtarit të GJKKO—së Erion Çela, SPAK urdhërohet që të nisë hetimet për deputetin, njëherazi ish-prokurorin e shkarkuar nga vettingu.
Por si përfundoi Ndoja në SPAK? Report Tv mëson se që prej vitit 2023, ndaj tij kishte nisur një hetim pasuror. Por, duke qenë se Ndoja u bë deputet nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që të pushojë çështjen.
Në kushtet kur Ndoja është bërë deputet, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i është drejtuar GJKKO-së të shprehet mbi këtë kërkesë. Sot, gjyqtari Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve. Ai ka vendosur që të gjitha aktet e hetimit që ka kryer Prokuroria e Tiranës prej 2 vitesh, të kalojnë në SPAK. Ndërkohë që Prokurorinë e Posaçme e urdhëron që të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet për deputetin Ndoja.
Sipas gjykatës, subjektit të hetuar i ka ndryshuar statusi gjatë gjykimit, për këtë arsye është kompetencë e SPAK të hetojë Arjan Ndojën. Gjyqtari Çela ktheu aktet në SPAK dhe kërkon hetimin mbi dy vepra penale “pastrim parash” dhe “fshehje apo mos deklarim pasurie”.
Ende nuk dihet se si nisi hetimi nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa Ndoja u shkarkua nga KPK në vitin 2022. Ai doli përfundimisht nga sistemi i drejtësisë më 22 prill të këtij viti. Ishte Ndoja që u tërhoq nga ankimi i tij në KPA, për shkak se u fut në listat e deputetëve në zgjedhjet e 11 majit.
/shqiptarja


















