Gjuha shqipe sërish në plan të dytë në Maqedoni, shumica parlamentare as që e diskuton

“Jo vetëm sa zgjatë fushata, por në vazhdimësi, ky program të jetë edhe platforma jonë. Në mënyrë të veçantë, pjesa sa i përket gjuhës”.

Kështu fliste deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, kur prezantoi platformën e partisë së tij në fushatën parazgjedhore… E kështu flet sot, kur ndryshimet në ligjin për gjuhën shqipe duhet të hynë në procedura parlamentare.

Ndryshimet në ligjin për gjuhët “ishte” pika e parë e Deklaratës së Përbashkët të partive shqiptare, dhe u tha se ato do të bëhen sapo të konstituohet kuvendi. Disa politikanë shqiptarë thonin se ndryshimet në ligjin për gjuhët do të votohen, edhe para se të votohet qeveria.

Gati gjashtë muaj më vonë, deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, habitet kur pyetet nga TV21, se a ka nis diskutimet shumica parlamentare për ndryshimet ligjore në ligjin për gjuhët.

“Për ligjin për përdorimin e gjuhëve, a keni kontaktuar me partitë tjera të shumicës parlamentare?

– Prej ku doli tash kjo?

Po ju pyes… Ju jeni pjesë e grupit të deputeteve, a është biseduar sepse ka pasur paralajmërime…

– Jo, jo aspak, për ligjin për gjuhët nuk kemi diskutuar aspak”, tha Frosina Remenski, deputete e LSDM-së.

Rilindja me Besë po pret zgjidhje nga shumica parlamentare.

Deputeti i këtij koalicioni, Fadil Zendeli thotë se grupi i tij parlamentar ka gati propozimin për ndryshimet në këtë ligj, por fillimisht duhet parë se çka ofron shumica parlamentare.

“Thjeshtë, ata si shumicë që janë në kuvend, edhe në qeverisje, ata duhet të ofrojnë versionin e tyre dhe ta dorëzojnë në procedura parlamentare. Ne si grup parlamentar kemi alternativën tonë rreth ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, dhe në momentin e duhur ne do të dalim me propozimet tona. Të shohim se çka ka qeveria në këtë drejtim”, tha Fadil Zendeli, Rilindje me Besë.

Zyrtarizimi i gjuhës shqipe zuri vend të rëndësishëm në fushatat e partive shqiptare, ndërsa LSDM-ja premtoi avansim të përdorimit të shqipes në institucione.

VMRO DPMNE zhvilloi fushatë të ashpër kundër zyrtarizimit të shqipes në tërë Maqedoninë, e partitë shqiptare e refuzuan draft-ligjin e LSDM-së, dhe bënë të vetin.

Në takimin e fundit mes Ahmetit dhe Selës, ky i fundit deklaroi se ligj për gjuhën shqipe do të propozojnë partitë shqiptare, e jo LSDM.

BDI paralajmëroi se pas ndryshimet në ligjin për gjuhë, do të formohet edhe një organ mbikëqyrës, që do të sigurojë përdorim të drejtë të shqipes.

Avancimi i përdorimit të gjuhës shqipe ishte top temë edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare për BDI-në, por partia vendosi që pas formimit të qeverisë prioritet numër 1 ta ketë integrimin në NATO.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne