Gjykata e Lartë nuk ka asnjë kandidat që plotëson kushtet për në KED

Asnjë nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kandidatë për Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë (KED) për vitin 2019 nuk plotëson kushtet për të qenë anëtarë i KED-it.

Gjykata e Lartë ka dorëzuar një listë me tre kandidatura, nga katër anëtarë që i kanë mbetur: Ardian Dvorani, Edmond Islamaj dhe Medi Bici.

Por Exit.al ka parë jeteshkrimin e tyre dhe zbulon se asnjë prej tyre nuk ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës, çfarë është kusht ligjor.

Duhet theksuar se anëtari i KED nga Gjykata e Lartë është njëkohësisht kryetar i KED-it, prandaj mungesa e një kandidati që plotëson kushtet nga Gjykata e Lartë, e lë KED-in edhe pa kryetar.

Çfarë parashikon kushtetuta dhe ligji për formimin e KED-së?

Sipas Kushtetutës, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët duhet të plotësojnë një sërë kushtet, dhe që shërbejnë vetëm për një vit pa të drejtë rizgjedhje të njëpasnjëshme. Nga 9 vende, njëri është i rezervuar për një gjyqtar nga Gjykata e Lartë.

Sipas ligjit 115/2016, “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, neni 221, kushtet që duhet të plotësojnë magjistratët për të marrë pjesë në shortin për KED janë:

– Të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

– Të mos ketë procedim disiplinor para kandidimit;

– Të ketë përfunduar ciklin e plotë katër ose pesë vjeçar të studimeve në drejtësi;

– Të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës;

– Të jetë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në 2 vlerësimet e fundit etik dhe professional;

– Të mos jetë nën hetim ose nuk është dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

– Të mos jetë dënuar më parë me sanksion administrativ për shkelje të rregullave ligjore në lidhje me deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave.

Teksa është detyrim ligjor që insitucioni, në këtë rast Gjykata e Lartë, të bëjë publike në faqen zyrtare, listën me kandidatët që i plotësojnë kushtet dhe listën me kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet, Gjykata e Lartë është mjaftuar vetëm me dërgimin e një liste me tre emra gjyqtarësh tek Presidenti.

Dërgimi i një liste me kandidatë që nuk plotësojnë kushtet është shkelja e radhës që Kryegjyqtari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori i bën ligjit dhe Kushtetutës në procesin e formimit të institucioneve të reja të drejtësisë.

Nga kandidatët e propozuar, gjyqtarët Dvorani dhe Bici janë konfirmuar në detyrë me vendim të formës së prerë nga procesi i vetingut, ndërsa gjyqtari Islamaj pret vendimin nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi Komisioneri Publik ankimoi vendimin e KPK-së që e konfirmoi atë në detyrë.

Po ashtu, pika 2, neni 221, parashikon që “kandidatët që nuk plotësojnë një nga këto kushte përjashtohen nga shorti”. Pra, Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili duhet të hedhë shortin nga data 5 deri në 10 dhjetor, duhet më parë të përjashtojë nga shorti gjyqtarët Dvorani, Islamaj dhe Bici.

Ky fakt e bën edhe më problematik gjendjen në lidhje me krijimin e KED-it. Siç e kemi shpjeguar më parë, në mënyrë të ligjshme vetëm katër nga nëntë anëtarë mund të zgjidhen në Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë. Për pesë postet e tjera nuk ka mjaftueshëm prokurorë dhe gjyqtarë që plotësojnë kushtet.

Mos krijmi i KED-it dëmton gjithë sistemin e drejtësisë, ndër të tjera duke bërë të pamundur plotësimin e vendeve bosh të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese./ exit.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne