Ultimatumi amerikan: Turqia duhet të zgjedhë mes Rusisë dhe Perëndimit

Turqia duhet të zgjedhë midis blerjes së sistemit të raketave anti-ajrore ruse S-400 ose qëndrimit si një partner në programin e armëve të SHBA-së, i tha agjencisë informative Bloomberg, senatori republikan James Inhofe, kryetari i ri i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit.

“Për të mbetur në programin e prodhimit të avionëve F-35, Turqia nuk duhet të blejë sistemet raketore ruse “, theksoi Inhofe. Ai e përshkroi Turqinë si një aleat të rëndësishëm të NATO-s, dhe e paralajmëroi Ankaranë se duhet të veprojë në përputhje me këtë status. “Në fund të fundit,Turqia duhet të marrë një vendim midis Rusisë dhe Perëndimit. Nëse vazhdon me blerjen e sistemeve S-400 nga Rusia, do të ketë pasoja,” tha kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit. Në këtë kuadër, Bloomberg citoi gjithashtu ekspertin ushtarak amerikan Steve Zaloga të ketë thënë se SHBA janë shqetësuar lidhur me planet e Turqisë për të blerë sistemet S-400, sepse një numër i specialistëve rusë do të “vendosen në Turqi për trajnim dhe mirëmbajtje”. Zaloga gjithashtu sugjeroi se Ankaraja do të “lejojë specialistët rusë të testojnë radarët dhe sensorët e sistemit S-400 kundër një avioni turk F-35, me qëllimin përfundimtar të minimit të karakteristikave të sistemit anti-radar të avionëve F-35”. Të shtunën, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha se Ankaraja vendosi të blinte sistemet ruse S-400, sepse Moska i ofroi “marrëveshjen më të mirë” kur Ankaraja kishte nevojë për armë të tilla. “S-400 është një marrëveshje e bërë, tashmë kemi finalizuar këtë marrëveshje dhe ne do të blejmë S-400 nga Rusia pa asnjë dyshim. Gjatë 10 viteve të fundit ne u përpoqëm të blinin sistemet e mbrojtjes ajrore nga miqtë tanë amerikanë, sistemin Patriot, por nuk funksionoi “, theksoi Cavusoglu. Komentet e tij erdhën pasi agjensia e lajmeve Anadolu citoi një burim të rangut të lartë në Uashington duke thënë se SHBA vazhdojnë ta konsiderojnë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 një kërcënim për platformën e avionëve të gjeneratës së pestë F-35 dhe mund të vendosë sanksione kundër Ankarasë. Më herët, Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar deklaroi se vendosja e sistemeve S-400 në Turqi do të fillojë në tetor 2019. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se programi amerikan i avionëve F-35 do të vazhdojë sipas planifikimit, dhe avionët e ardhshëm do t’i dorëzohen Turqisë në mars të vitit të ardhshëm./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne