Gjykata pushon çështjen ndaj drejtoreshës së kopshtit të fëmijëve

Nga Alice Elizabeth Taylor

Gjykata e Tiranës vendosi të mos marrë në gjykim çështjen e Nashi Shehapit, drejtoreshës së Kopshtit Nr.1 në Tiranë, e cila akuzohet se ka dhunuar dhe abuzuar një fëmijë 3-vjeçar.

Gjithashtu, ajo akuzohet se e ka mbyllur këtë fëmijë, por edhe të tjerë, në “vrimën e miut”, që rezultoi të ishte një dollap i vogël dhe i errët nën shkallët e Kopshtit Nr. 1 në Tiranë.

Shehapi, e cila mban pozicionin e drejtorit të Kopshtit Nr.1 ​​(si dhe drejton strukturën lokale të Partisë Socialiste në zonën e saj), pavarësisht se nuk ka kualifikimin përkatës dhe nuk ka aplikuar për këtë pozicion pune, është shfaqur gjithsej në tre seanca, gjithnjë pa avokat mbrojtës.

Pavarësisht nga raportet mjekësore, këmbënguljes së fëmijës se Shehapi e ka rrahur atë dhe një dëshmie dy-orëshe të dhënë nga fëmija në praninë e dëshmitarëve – hetimi nga prokurorja Bala filloi vetëm pasi Exit.al e publikoi ngjarjen në muajin tetor 2018.

Prokurorja Bala i ka kërkuar gjykatës ta mbyllë çështjen, pasi tha se nuk kishte “asnjë provë” se Shehapi e kishte kryer krimin. Ajo paraqiti një deklaratë prej pesë rreshtash si përmbledhje të intervistës së psikologëve me fëmijën, pa e përmendur Shehapin dhe duke nxjerrë në pah se trevjeçari kishte thënë “Unë nuk kam asgjë për të shtuar më tej.”

Ajo gjithashtu paraqiti një listë me firma që e shpallnin Nashi Shehapin të pafajshme – mes firmëtarëve ishin një nëpunëse e qeverisë, rojet e natës të kopshtit dhe prindi i një fëmije që as nuk merr pjesë në kopshtin e fëmijëve.

Bala tha gjithashtu se ajo nuk gjeti asnjë provë për “vrimën e miut” pavarësisht se gazetarët e Exit.al e gjetën dhe e fotografuan “vrimën e miut” gjatë një vizite shumë të shkurtër në kopshtin e fëmijëve Nr.1.

Fëmija, i cili tani është pesë vjeç, ende shprehet se Nashi e sulmoi atë dhe ai shfaq shenja traumash kur përmendet emri i saj.

Avokati i prindërve, Ivi Rrokaj, tha se ai “kurrë nuk kishte parë një prokuror të përpiqej të mbronte një të akuzuar po aq sa në këtë rast”.

Prindërit kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin e gjykatës./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne