Gjyqi për Inceneratorin e Tiranës/ Alqi Bllako deklarohet i pafajshëm, jep versionin e tij: Nuk është provuar asnjë shkelje ligjore nga ana ime

Gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja e Alqi Bllakos, ish-sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, theksoi se ai nuk ka përfituar financiarisht nga projekti i ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, i dhënë nga Bashkia e Tiranës.

Avokatët e Bllakos argumentuan se ai ka bërë vetëm siglimin e shkresave që ka pasur detyrim të menaxhojë për shkak të funksionit të tij, duke sqaruar se ai ka marrë dokumente nga institucionet dhe ia ka dërguar ministrit.

Bllako, i akuzuar për korrupsion pasiv në dy raste, u shpreh gjatë seancës se ishte plotësisht i pafajshëm dhe se organi procedues nuk kishte arritur të provonte asnjë shkelje ligjore nga ana e tij. Ai theksoi se nuk kishte qenë pjesëmarrës në mbledhjet e komisionit për dhënien e koncesionit dhe se kishte firmosur disa dokumente për shkak të hierarkisë administrative.

Mbrojtja kërkoi pafajësi për Bllakon, duke argumentuar se nuk kishte asnjë lidhje personale me individë të përfshirë në procedurë, duke përfshirë Vladimir Bezhani, i cili u punësua në vitin 2014, ndërsa projekti për ndërtimin e inceneratorit nisi në vitin 2015.

Bllako shtoi se nuk kishte patur asnjë rol në këtë proces dhe se nuk kishte pasur ndihmë për asnjë kompani./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne