Google sponsorizon dhe bën të mundur realizimin e eventit “Women Techmakers” si pjesë e organizimeve të International Women Day

Tiranë – U zhvillua në ambjenet e TechSpace Albania në 7 mars eventi Women Techmakers i lidhur me “International Women Day”, i cili sillet për herë të parë në Shqipëri. Ky event është pjesë e një serie eventesh globale që zhvillon Google lidhur me “International Women Day”. Google së bashku me UK Albania Tech Hub dhe me partnerë shqiptarë nga bota e medias, teknologjisë dhe arsimit bënë të mundur që gra dhe vajza nga bota e teknologjisë dhe shkencës të mblidhen bashkë. Në eventin “International Women Day” lidhur me gratë si pjesë përbërëse e zhvillimit të teknologjisë (Women Techmakers), ku pjesë e organizimit ishte dhe New Impact Association, u shpreh rëndësia që i kushton Google eventeve të kësaj natyre dhe fuqizimit të grave dhe vajzave në teknologji. Në këtë event u tha se Women Techmakers Albania synon të inkurajojë femrat në teknologji përmes eventeve, workshopeve dhe bursave, që ofrohen nga Google për të kryer studime të ndryshme në këtë fushë. Në event kishte të pranishme shumë vajza e gra të suksesshme, të apasionuara në punën e tyre, të cilat janë model për femrat.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi u shpreh i lumtur që gjendej mes vajzash dhe grash të suksesshme në teknologji, të cilat janë modele frymëzimi për të gjithë. “Shqipëria është më e mirë, kur ka më shumë gra që punojnë dhe drejtojnë”, u shpreh zoti Shalsi. Ai tha se prania e grave i bën njerëzit më miqësorë, prandaj  ishte i lumtur që në kabinetin e tij kishte femra të cilat janë puntore dhe të suksesshme. Duke qenë se eventi kishte si kryefjalë të tij teknologjinë, ministri tha se kabineti i tij është duke punuar për ligjin e startup-eve. “Vendi ynë kërkon të krijojë një mjedis miqësor me ekosistemin e teknologjisë”, shtoi ai.
Anisa Berisha, si përfaqësuese e UK Albania Tech Hub, foli mbi rëndësinë e madhe dhe zhvillimin që i ofron shoqërisë teknologjia. Ajo foli dhe për mbështetjet e mëdha dhe të pakursyera që UK Albania Tech Hub ka ofruar për zhvillimin dhe ngritjen e startup-eve të reja në Shqipëri.
Kurse Valbona Dhjaku, folëse në event tregoi sesi kishte arritur suksesin në karrierë duke hedhur hapat njëri pas tjetrit. Një fjalim motivues dhe shumë energjik mbajti edhe Georgina Wilcox, e cila punon për Google.
Gjatë eventit, u mbajt një panel i përbërë nga femra që kanë arritur shumë në karrierën e tyre, që prej vajzave që punojnë nëpër banka, tek ato që janë pedagoge e deri tek ato të cilat kanë arritur të themelojnë dhe zhvillojnë bizneset e tyre në fushën e teknologjisë. Pjesë e panelit ishin Inxhiniere Erisa Terolli, Erisa Hazisllari, Linda Shomo, Anila Hoxha Tollkuci, Edlira Martiri, Diana Xhumari, Dorina Bebja. Paneli u moderua nga Kushtrim Shala.
Folëset dhe panelistet u shprehën se nuk është e lehtë të rezistosh në treg duke qenë femër dhe sidomos duke qenë nënë. Por ato dhanë një këshillë shumë të vlefshme. “Muri i mëmësisë duhet thyer”. Nënat duhet t’u tregojnë të tjerëve se mund të punojnë, po aq shumë sa edhe koleget e tyre. Të qenurit nënë nuk duhet të jetë një barrierë për të shkuar në rrugën drejt suksesit.
Të punosh në IT është sfiduese sepse njohuritë vjetërohen shumë shpejt dhe duhen rinovuar vazhdimisht, por me shumë punë dhë përkushtim mund t’ia dalësh. Folëset ndanë me audiencën, arsyet pse kishin zgjedhur të punonin në IT. Në këtë fushë mund të krijosh shpesh gjëra të bukura, është profesion më i paguar sesa të tjerët dhe diferenca gjinore në pagesa është më e vogël, sipas statistikave zhvilluar në Amerikë.
Theksi u vu tek siguria kibernetike, burimet njerëzore që duhet të dalin nga auditoret për t’u bërë profesionistë të fushës dhe perspektivës që ofron kjo fushë në tregun e punës.
Folëset thanë se femrat duhet të mbështesin njëra-tjetrën, duhet të kenë besim dhe këmbëngulje për të ecur përpara. E rëndësishme është të kuptohet sesi gjërat funksionojnë vërtet në praktikë dhe të fokusohemi në atë që mund të bëjmë realisht më mirë, jo thjesht të bazohemi tek teoritë, thanë panelistet në mbyllje.

New Impact Association falenderon të gjitha gratë që ju përgjigjën ftesës. Ajo vlerëson drejtuesin e saj Gerald Manellari i cili ishte pjesë e organizimit të këtij eventi madhështor si dhe gazetarin Bledar Kuqo të New Impact Association, i cili punon në sektorin mediatik të organizatës, mbi punën e palodhshme lidhur me zhvillimin me sukses së këtij eventi./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne