Grabitën me dhunë studentët, kapet vlonjati 22-vjeçar, në kërkim autori tjetër

Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi në bashkëpunim me një tjetër kanë hyrë në banesën e tre studentëve, i kanë kërcënuar me thikë dhe i kanë marrë 800 euro.

Ngjarja ka ndodhur në një banesë në lagjen nr. 15, Durrës, në të cilën banonin me qera tre studentë, rreth orës 04:00 të mëngjesit ku kanë hyrë dy persona dhe nën kërcënimin e një thike u kanë marrë 800 euro.

Njëri prej studentëve ka njoftuar Policinë dhe është vënë në ndjekje të autorit. Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, dhe ndihmës së banorëve të zonës është bërë e mundur kapja në flagrancë e njërit prej autorëve, konkretisht S. A., 22 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal në fushën e vjedhjes.

Si rezultat i veprimeve të para të kryera nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Durrës u bë i mundur identifikimi i autorit tjetër S. A., banues në Vlorë dhe vijon puna për kapjen e tij.

Autorët e dyshuar kishin disa ditë që jetonin me qira në një nga hyrjet e pallatit ku jetonin edhe tre studentët. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 telefona, dy çanta dore dhe një sasi parash.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personit të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./ tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne