Gratacielat e turpit të Tiranës dhe gratacielat e zhvillimit të Teheranit

GJERGJ THANASI

Gjatë ceremonisë së inagurimit të copës së rradhës të bulevardit të ri të Tiranës kryeministri Edvin u mburr me lejet e ndërtimit për kullat e rradhës në Tiranë, kryesisht në zonën brenda unazës së vjetër të Tiranës. Mburrja e kryerilindasit erdhi vetëm pas pak ditësh nga kritikat therëse të deputetit veteran socialist (jo rilindas) Erion Brace kundra Lali Erit për shndërrimin e zonave të tëra të Tiranës në geto urbane.

Kjo foto flet sa 1 000 fjalë


Me kontributin e drejtpërdrejtë të Ervinit dhe Lali Erit e deri diku edhe të Lulzimit procesi i turpshëm i getoizimit të Tiranës u zhvillua me sukses të plotë. Fotoja e parë ilustron idenë se si janë shndërruar lagje të tëra të Tiranës në geto plot kulla (grataciela). Në të tilla geto mungojnë parkingjet, se pallatet janë ndërtuar ngjitur me njeri tjetrin dhe shumë prej tyre nuk kanë as parkingje të nëndheshme. Në këto geto të merr malli për një pëllëmbë bar apo edhe për një mini park lojërash për fëmijët. Në geto komshija i ndërron me telekomandë kanalin e TV-së fqinjit në pallatin ngjitur. Në të tilla pallate shpesh nuk hap dot dritaren e dhomës së ndenjes, sepse të mbushet dhoma me aromën e deodorantit të banjos së fqinjës në kullën përballë.
Kësaj gjendje alarmante tahmaja e Lali Erit dhe e kryeministrit do t’i shtojë dhjetra kulla të reja duke rritur sipërfaqen e getove madje edhe në zemër të Tiranës. Lali Eri për hesap të vet në funksion të blerjes së mediave për t’i përdorur në betejnë për të trashëguar “fronin” e Edvinit, lejeve për kulla po u shton edhe lejet për kioska duke na kujtuar “epokën” e kioskave, kur Edvini e rilindte Tiranën duke shembur me fadromë kioskat e Saliut e Brojkës. Prap se prap kryeminsitri Edvin këtë kullëzim të Tiranës e jo vetëm të Tiranës e quan zhvillim jo barbari!

Në foton e dytë kemi një kompleks kullash të sapo ndërtuara në Iran.


Sic shihet edhe në foto rreth 100 kullat 14+2 kate janë në stadin e fundit të ndërtimit. Në foto me sy të lirë shihet qartë, që nga kulla në kullë ka distancë të mjaftueshme për trotuarë të gjerë, për parking makinash (jo në rrugë) si edhe ka të paktën nja 6 hapsira, që mund të përdoren për lulishte, shatërvanë dhe mini park lojërash për fëmijë. Distanca më e afërt nga kulla në kullë është 35 metra (krahasojeni me Don Boskon apo me Komunnënë e Paristi në Tiranë). Arkitekti i ka projektuar kullat madje edhe në një mënyrë të tillë, që ato mos ia zënë diellin njera tjetrës, me qëllim që blerësit e apartamenteve në këtë zonë të sapo urbanizuar të jetojnë në pronën e tyre si njerëz jo si pulat në kotecët metalikë të pularive të specializuara për mbarështimin intensiv të pulave!
Krahasimin tonë nuk e bëmë me Manhatanin e Nju Jorkut as me Lagjen La Defence të Parisit as me gratacielat e Milanos të ndërtuara nga kompanitë e Berluskonit. Jo krahasimin tonë e bëmë me Iranin. Ne, që kërkojmë të kapim standartet europiane, që kërkojmë të hymë në Europë, e kemi Tiranën vite drite larg Teheranit lëre pastaj sa larg Brukselit është kjo Tirana jonë me kryebashkiakë Edvinin, Lali Erin madje edhe Lulzimin!
Njëlloj si në Tiranë, ky kompleks gratacielash në Iran është ndërtuar nga kompani në pronësi të të ashtuquajturve “Aghazadeh”, bij të baballarëve bosa (ekujvalentë të bijve të bllokut te ne). Në Iran “Aghazadeh-ët, gjithsesi e njohin përgjegjësinë ndaj shoqërisë e deri diku i vënë fre tahmasë ndryshe nga këta këlyshët e bllokut tonë, që ta shesin metrin katror të apartamentit në kullat geto me cmimin e metrit katror të palacinës në Milano apo në Firence!
Të jesh vite drite larg Iranit për sa i pëtrket zhvillimit urban dhe të përpiqesh ta shesësh getoizimin për zhvillim do të thotë, që bën mirë të mos mburrersh si kokoshi mbi pleh,por urgjentisht të shkosh e të varësh veten me ushkurin, me të cilin lidh brekushet aq moderne dhe aq “cool”!/ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne