Uncategorized

Grekët dhe maqedonasit tërbohen nga zyrtarizimi i pakicës bullgare në Shqipëri

Miratimi i ligjit për pakicat kombëtare ka provokuar reagime në rajon.

Maqedonasit dhe grekët duket se janë më të pakënaqurit, por ndërsa për të parët kuptohet irritimi, për të dytët ende nuk merret vesh se ku qëndron realisht kundërshtia.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Alexandros Yenimatas tha se ligji përbën një hap prapa për pakicën greke në Shqipëri.

“Në vend që të sigurojë të drejtat e pakicave në vend, bazuar në standardet europiane, projektligji që votoi Parlamenti shqiptar mbi mbrojtjen e minoriteteve përjetëson abuzimet e regjimit të Enver Hoxhës.

Ky është një hap përpara për pakicat joekzistuese dhe një hap prapa për minoritetin kryesor dhe ekzistues të Shqipërisë”, tha ai.

Zv.kryeministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva ka sqaruar diçka që në Shqipëri nuk thuhet.

Ajo kryen edhe detyrën e ministrit të Jashtëm dhe sipas saj është luftuar shumë që të arrihet në “këtë rivendosje të drejtësisë historike”.

“Gjëja më e rëndësishme në një shtet demokratik, që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, është që të mos pengojë njerëzit të identifikojnë veten në rastet kur ata janë të vetëidentifikuar si bullgarë dhe kanë fakte historike. 

Falenderoj minoritetin bullgar në Shqipëri që mblodhi 3000 firma për rreth një muaj e gjysmë”, citohet ministrja bullgare nga agjencia “Focus”(http://www.focus-fen.net/news/2017/10/14/423998/minister-ekaterina-zaharieva-recognizing-the-bulgarian-minority-in-albania-restores-historical-justice.html).

Sipas saj madje, mes të dyja vendeve, pra mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, ka një marrëveshje të vitit 1932 për njohjen e pakicës bullgare por e cila nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk është finalizuar firmosja e saj.

Pala shqiptare, më saktë qeveria, por edhe opozita që e votoi pa asnjë vërejtje, përveç LSI-së, u mbrojt me faktin se ligji i referohet në identifikim legjislacionit të censusit që bazohet te vetëdeklarimi pa zbuluar identitetin.

Por me këtë logjikë gjithkush mund të shpallë kombësinë që i leverdis e pastaj qeveria do të duhet ta verifikojë me regjistrat e vet të Gjendjes Civile, në të cilët nuk figuron më kombësia si pjesë e gjeneraliteteve.

OPINIONE