Grenell: Më tha në sy se do ta heqë 100% taksën. Reagon Kurti: Të thashë ndryshe

Në një intervistë që i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka dhënë për Televizionin T7 ka shpjeguar qëndrimin amerikan për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe.

“Ne, Shtetet e Bashkuara, e kemi pasur një qëndrim të gjatë se taksa prej 100% që është zbatuar para z.Kurti ka qenë duke e dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti. Kjo është një politikë afatgjate, kjo është diçka që ia kemi komunikuar secilit udhëheqës para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve dhe të jem i sinqertë, ne e kemi pasur zotimin nga të gjithë para zgjedhjeve se ata do të përkushtohen për heqjen e taksës” – tha Grenell.

Pyetjes nëse kishte marrë një zotim edhe nga Albin Kurti për ta hequr taksën, Grenell iu përgjigj: “100% po. Ai më pa në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën. Unë nuk do të përfshihem në politikë dhe në atë se si është situata atje, në atë se si përgjigjen udhëheqësit politikë para dhe pas zotimeve, por realiteti është se ne jemi duke qëndruar jashtë politikës” – tha Grenell.

Pas intervistës ka reaguar kryeministri në detyrë Albin Kurti.

“Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë. Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV. Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca. Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi.

Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet. Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial” – shkroi Kurti në rrjetet sociale./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne