“Greqia duhet të ndalojë shkeljet në kufirin Turqi-Greqi”

Raportuesi special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për të drejtat e njeriut, Felipe Gonzalez Morales, tha se Greqia duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për t’i dhënë fund dhunës kundër migrantëve dhe azilkërkuesve në kufirin Turqi-Greqi dhe të forcojë mbrojtjen e tyre.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet për kthimin e azilkërkuesve dhe migrantëve, që përbën një shkelje të ndalimit të dëbimeve kolektive dhe parimit të mosdëbimit”, tha Morales në një deklaratë me shkrim.

Në deklaratë, eksperti i OKB-së gjithashtu ngre alarmin për raportimet për sulme dhe dhunë ndaj azilkërkuesve nga zyrtarët grekë të sigurisë dhe personat e paidentifikuar të armatosur, në tentim për t’i kthyer ata në anën turke të kufirit.

Ai tha se dyshohet që migrantët që arritën të kapërcejnë kufirin janë ndaluar nga rojet kufitare greke, janë arrestuar, zhveshur, u janë konfiskuar gjërat dhe janë kthyer prapë në Turqi.

“Ky përdorim i raportuar i tepërt i forcës duket se ka çuar në vdekje dhe plagosje, përfshirë vdekjen e një azilkërkuesi sirian”, thuhet në deklaratë.

Morales gjithashtu ngriti shqetësime për rritjen e armiqësisë dhe dhunës kundër aktivistëve humanitarë, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve që punojnë në zonën kufitare dhe në ishujt grekë.

“Greqia ka përgjegjësinë të sigurojë që migrantët dhe ata që i ndihmojnë ata të mbrohen nga kërcënimet dhe sulmet. Autoritetet duhet të dënojnë menjëherë rastet dhe të sigurojnë llogaridhënie për çdo veprim të tillë”, tha ai.

Eksperti i OKB-së gjithashtu tha se Greqia më 1 mars vendosi të pezullojë aplikimet për azil për 30 ditë për individët që kanë kaluar kufirin në mënyrë të parregullt.

Këta individë do të kthehen në vendin prej ku kanë ardhur apo në vendin e origjinës, pa regjistrim ose vlerësim individual.

“Greqia duhet të kthejë menjëherë vendimin e saj për pezullimin e kërkesës për azil, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. E drejta për vlerësim individual është gurthemeli i të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së refugjatëve. Nuk mund të pezullohet”, tha Morales.

Raportuesi special i OKB-së gjithashtu tha se ka kontaktuar qeverinë greke, autoritetet relevante të BE-së dhe qeverinë turke në lidhje me shqetësimet për migrantët, azilkërkuesit dhe refugjatët në kufirit Turqi-Greqi./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne