Greqia zyrtarizon zgjerimin me 12 milje në detin Jon, ja çfarë hapësire përfshin sipas Dekretit Presidencial

Këshilli i Lartë i Shtetit të Greqisë miratoi Dekretin Presidencial për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon deri në 12 milje.

Dekreti përfshin hapësirën në zonën veriore të detit Jon, të ishujve të Jonit e deri në Kepin e Tenaro në Peloponez. Lajmin e ka publikuar e para gazeta greke “To Protothema” në një reportazh të detajuar, ku thekson se me këtë hap ditën e Krishtlindjeve, Athina i dërgon një mesazh të hapur Turqisë, sidomos kur theksohet se, në përputhje me Konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara qeveria greke “rezervon të drejtën për të ushtruar të njëjtën pikë dhe në zonat e tjera të ujërave territoriale”.

Zgjerimi i ujërave territoriale në detin Jon transformon të njëjtin rajon në një Zonë Ekskluzive Ekonomike (EEZ), pra në një zonë detare, ku një shtet ka të drejtë të hulumtojë ose ndryshe të shfrytëzojë burimet detare, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike të ujit dhe ajrit.

Në të njëjtën kohë, përcaktimi i vijave bazë në rajonin e Detit Jon dhe mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon, hapin rrugën për hartimin e marrëveshjes Greqi-Shqipëri, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është rënë dakord gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, në Tiranë, dhe takimit që ai pati me Kryeministrin shqiptar, thekson gazeta greke “To Protothema” duke shtuar, se çështja mbetet e hapur nga viti 2009, kur Greqia nënshkroi një marrëveshje për zonën detare, e cila u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Pas vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Nikos Dendias, Kryeministri Rama tha se të dyja vendet do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për çështjen e kufirit detar dhe Zonave Ekskluzive Ekonomike.

“Kemi rënë dakord që çështjen e detit ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Së bashku, Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohet drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi i në bazë të ekspertizës dhe së drejtës ndërkombëtare të detit. Më vjen keq për patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera, pasi çështja e detit nuk është për të bërë më propagandën e tyre anti-greke dhe as propagandë në Shqipëri dhe Kosovë. Të vetëvendosën në çështje të tjera”, u shpreh Rama.

Kjo deklaratë erdhi pas takimit që Rama pati me Kryeministrin Mitsotakis në Athinë në mes të shtatorit gjatë një forumi ekonomik ndërkombëtar organizuar nga “The Economist”.

Pas këtij takimi, mediat greke komentuan qëndrimin pro të Shqipërisë për zgjerimin e Greqisë me 12 milje.

Portali “iefimerida.gr” shkruan se “vihet re se kohët e fundit, Edi Rama e kishte cilësuar si “absolutisht të pranueshme” me të drejtën ndërkombëtare shtrirjen nga Greqia të ujërave të saj territoriale në 12 milje në Jon. Në të njëjtën kohë, Kryeministri shqiptar kishte deklaruar se ishte pro demarkimit të zonave ekskluzive ekonomike me Greqinë dhe kishte pohuar se ai u kishte propozuar personalisht të gjitha qeverive greke, nga ajo e Kryeministrit Samaras deri më sot, që në kushtet kur të dyja palët kanë pretendimet e veta të pandryshueshme që i komplikojnë negociatat, t’i drejtohen një pale të tretë, miqësore me të dyja vendet, për të marrë rolin e arbitrit për një rezultat të pranueshëm, ose në të kundërt të apelojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

/tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne