Rajoni

Gruaja nga Skenderaj hyn në librin Guinness

Emri i Kosovës edhe një herë u përmend në librin e famshëm të rekordeve Guinness. Është Arbnora Fejza Idrizi nga komuna e Skenderajit, e cila ka shënuar një rekord të ri në librin botëror Guinness, me lulen më të madhe në botë të punuar nga letra origami.

Lulja origami që e vendosi emrin e Arbnorës në librin e famshëm botëror ka një madhësi prej 8.7 metrash. E lajmi është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Librit të Guinness-it.

Pas marrjes së lajmit nga stafi i Guinness-it, Arbnora e ka shpërndarë në facebook, ndërkaq për KosovaPress ka përcjellë edhe një mesazh për të rinjtë.

“Ndjehem shumë krenare që arrita ta përfaqësoj fillimisht Skenderajin dhe Kosoven. Jam shumë e lumtur që në mesin e qindra mijerave kandidatëve për rekord, u zgjodha unë fituese. Për të rinjët kam një mesazh që mos të ndalen nga ëndrrat e tyre, sepse nëse ti e do punën tënde pa dyshim, do të arrish sukses”, ka thënë Fejza-Idrizi për KosovaPress.

Por, Arbnora se nuk do të ndalet me kaq. Ajo ka njoftuar se po përgatitet ta shënojë një rekord të ri.

“Bëhet fjalë për vazon me lule edhe flamujt e shteteve të botës që e kanë njohur Kosovën. Unë e kam titulluar “Lulet e lirisë”. Po ashtu, ky rekord do të jetë në shenjë falënderimi për ata që ranë dëshmorë për Kosovën”, ka thënë ajo./KultPlus

OPINIONE