Shqiperia

Guvernatori Sejko: Gjatë pandemisë Shqipëria ka humbur 17 mijë vende pune

“Gjatë kohës së pandemisë Shqipëria ka humbur 17 mijë vende pune, ndërsa ekonomia ka pësuar tkurrje me 2.52%”, kështu ka deklaruar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një deklaratë për mediat, ku ndër të tjera theksoi se sektori bankar vijon të mbetet i shëndetshëm.

“Ekonomia ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë në tremujorin e dytë. Reduktimi i kërkesës kanë sjellë rënie të prodhimit dhe rritje të papunësisë. Sektori bankar mbetet i shëndetshëm. Hapja e ekonomisë dhe ambienti i qëndrueshëm krijojnë premise për të pasur rritje në vijim. Miksi aktual i politikave fiskale dhe monetare është i duhur. Sipas të dhënave ekonomia u tkurr me 2.52%. Ekonomia humbi 17 mijë vende pune gjatë pandemisë”, tha Sejko.

Teksa riktheu vëmendjen tek eurobondi 650 mln euro që Shqipëria ka marrë, guverantori theksoi se marrja e tij i siguron qeverisë fondet e nevojshme për përballimin e pandemisë dhe i lehtëson punën e bankave të nivelit të dytë.

“Marrja e eurobondit i siguron qeverisë fondet e nevojshme për përballimin e pandemisë dhe i lehtëson punën e bankave të nivelit të dytë.

Eurobondi ishte një mjet i domosdoshëm dhe një element pozitiv për ekonominë në këtë situatë ku ndodhemi. Norma e interesit është në një nivel mjaft të mirë. Momenti i daljes së eurobondit ishte një moment pozitiv”, u shpreh guverantori.

I pyetur se sa kanë përfituar nga garancia e dytë sovrane, guvernatori tha se

“Garancia e dytë ka një nivel më të ulët edhe sepse kriteret e rrezikut kanë qenë më të larta. Janë disbursuar 9 mln euro. Situata është duke u menaxhuar dhe aktorët duhet të koordinojnë më mirë përpjekjet. Duhet pasur parasysh që kostoja e krizës duhet shpërndarë në mënyrë proporcionale.

Të shpresojmë që do kemi një rritje ekonomike sipas parashikimit, Ky do jetë i vështirë dhe shpresojmë të mos kemi falimente. 2021 do të jetë viti i rritjes ekonomike”, përfundoi Sejko./tpz

OPINIONE

INTERVISTA