Bota

Habit presidenti austriak, solidarizohet me muslimanet me shami

Presidenti i Austrisë ka habitur audiencën pasi ka deklaruar se mund të vijë një ditë kur të gjitha grave do u kërkohet të veshin shami koke për solidaritet, duke përmendur diskriminimin me të cilin përballen muslimanët në vend.

Alexander Van der Bellen, i cili e bëri këtë deklaratë ndërsa fliste me studentët të hënën, tha se ai beson që është “e drejta e çdo gruaje të veshë çfarëdo që ajo pëlqen”.

Megjithatë, duke iu referuar diskriminimit kundër muslimanëve në Austri, udhëheqësi vazhdoi duke thënë se “nëse kjo vazhdon … me islamofobinë gjerësisht të përhapur, do të vijë dita kur duhet t’i kërkojmë të gjitha grave të mbajnë shaminë – të gjithave – nga solidariteti me ato që e bëjnë për arsye fetare”.

Deklaratat e Van der Bellen, të cilat u transmetuan nga ORF, nuk u pritën mirë me disa njerëz në mediat sociale.

Një person shprehu zhgënjimin e tij në Twitter mbi numrin e madh të grave që votuan për Van der Bellen, duke marrë parasysh deklaratën e tij të fundit.

Kundërshtimi nxiti presidentin të mbrojë fjalët e tij në një postim në Facebook të mërkurën, ku theksoi se gratë që mbajnë shami shpesh i nënshtrohen “armiqësisë publike” në Austri.

Ndërkohë, politikanët e tjerë anembanë Austrisë kanë qenë të hapur me pikëpamjet e tyre mbi shaminë, që nuk përputhen aspak me mendimet e Van der Bellen.

Muajin e kaluar, disa zyrtarë qeveritarë kritikuan ashpër një rekomandim nga Bashkësia Fetare Islamike në Austri (IGGO) se gratë muslimane duhet ta mbajnë shaminë nga fillimi i pubertetit, me sekretaren e shtetit të vendit, Muna Duzdar, që tha se ajo i kundërshton “thellësisht” shamitë e kokës .

Komentet e Van der Bellen vijnë më pak se tre muaj pasi qeveria austriake njoftoi planet për të ndaluar mbulesat e fytyrës në publik, një veprim që nxiti një demonstratë në Vjenë.

Veshja islame ka qenë prej kohësh një temë debati në Evropë, me vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) muajin e kaluar se punëdhënësit mund ta ndalojnë këtë veshje sipas rregullave të përgjithshme që ndalojnë simbolet fetare të dukshme në vendin e punës. /© Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA