Hahn: Në maj do të kërkojmë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Në muajin maj, Komisioni Europian do të rekomadojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Deklarata u bë ditën e sotme, nga Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, gjatë punimeve të Komitetit Parlamentar të PE për Punët e Jashtme.

Takimi i sotëm ishte i një rëndësie të veçantë, pasi është i fundit përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian dhe si i tillë shërbeu për t’u dakordësuar mbi disa pika kyçe të politikës së jashtme të BE-së, përfshi zgjerimin, marrëdhënien me Kinën e Rusinë, krizën e refugjatëve nga Lindja e Mesme, etj.

“Bashkimi Europian duhet të fokusohet në perspektivën afatgjatë të vendeve kandidate. Në Komision, në fund të majit do të prezantojmë progresraportet për vendet e rajonit (Ballkani Perëndimor), plus Turqinë. Pres, që mbi bazat e asaj që kemi parë, të bëjmë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë”.

Pavarësisht situatës politike në Shqipëri, Komisioni Europian vlerëson se progresi i realizuar nga vendi ynë është i qëndrueshëm. “Në Ballkanin Perëndimor është bërë një progres shumë i rëndësishëm. Në afatgjatë, kur shohim arritjet, është e vërtetë që ka edhe hapa pas, por në afatgjatë vërejmë progres shumë të rëndësishëm në ekonomi, në sundimin e ligjit apo në procesin e ripajtimit”.

Duke folur për rëndësinë strategjike të rajonit tonë, Hahn pranoi se: “Në Ballkan, eksportojmë apo importojmë destabilitet. Arsyeja përse kjo ndodh është sepse niveli ekonomik i rajonit është ndjeshëm më i ulët se ai i Bashkimit Europian. Rritja e nivelit ekonomik, për të reduktuar këto disbalanca, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Unionit. Shembujt pozitiv në fushën e ligjzbatimit duhet të na inkurajojnë, që të nxisim sa më shumë biznesmenë që të investojnë në këto vende, të kemi më shumë tregëti me ta, më shumë kompani apo filiale në Ballkan”.

Më tej, Hahn theksoi shembullin pozitiv të bashkëpunimit Ukrainë-Poloni, si bazë për vijimin e marrëdhënieve me Ballkanin. Sot, Polonia është shndërruar në një tutor të rëndësishëm, që udhëheq Ukrainën drejt sferën perëndimore, duke u shndërruar në kundërpeshë të ndikimit rus në vend.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne