SHBA bllokon ndihmat për të prekurit nga përmbytjet në Iran

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Behram Kasimi në një deklaratë për median shtetërore ka thënë se në zonat e prekura nga përmbytjet nuk kanë shkuar dot ndihma të mjaftueshme humanitare për shkak të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) ndaj institucioneve iraniane.

Duke vënë në dukje se ShBA-ja ka bllokuar llogaritë e Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Kasimi theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bllokuar kështu edhe ndihmat e dërguara nga vendet e tjera.

Këto masa të ndërmarra nga administrata e Uashingtonit kundër popullit të Iranit vijnë në një proces kur po i afrohemi përvjetorit të tërheqjes së Presidentit të ShBA-së, Donald Trump nga marrëveshja bërthamore, u shpreh Kasimi dhe shtoi: “Zyrtarët amerikanë argumentojnë se këto sanksione nuk janë kundër popullit iranian, por u shërbejnë interesave amerikane. Por kjo (hapi i ndërmarrë nga Uashingtoni) tregon se drejtuesit e këtij vendi (ShBA), ndryshe nga pretendimet e tyre qesharake, i kanë marrë këto masa kundër popullit iranian”.

Edhe në rrethana të jashtëzakonshme, vuri në dukje më tej Kasimi, i gjithë sistemi bankar nuk mund të parandalohet dhe ndihmat humanitare janë realizuar nëpërmjet organizatave si: Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe.

“Duke shfaqur një qasje çnjerëzore dhe mizore, ShBA-ja ka bllokuar të gjitha kanalet, përmes të cilave ndihma humanitare do t’u dërgohen dhe dorëzohen të prekurve nga përmbytjet. Organizata si Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe kanë njoftuar se nuk kanë mundur që ti dërgojnë ndihmat e tyre tek Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit. Opinioni publik dhe organizatat ndërkombëtare duhet të dalin kundër një veprimi të tillë të pamëshirshëm”,- ka thënë Kasimi për median shtetërore iraniane.

Reshjet e fuqishme për rreth dy javë kanë prekur rajonet Huzistan, Gulistan, Loristan, Fars, Kirmanshah dhe Hemedan të Iranit duke shkaktuar përmbytje të mëdha me pasojë 46 të vdekur deri më tani.

Menaf Hashimi, guvernatori i provincës së Gulistanit, një nga provincat më të prekura nga fatkeqësia, kishte qenë me leje jashtë vendit kur ndodhën përmbytjet. Kjo kishte ngjallur polemika në vend dhe më pas Hashimi ishte shkarkuar nga detyra./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne