Rezart Dani
Më 28 shtator të vitit 1730, në Stamboll, filloi kryengritja e jeniçerëve në krye me Halil Patronën. Kjo kryengritje del e shënuar në të gjitha enciklopeditë historike botërore. Halil Patrona një shqiptar me origjinë nga Hurpishti, fshat i rrethit të Manastirit, arriti që me një kryengritje gjithë popullore të turmave të pakënaqura të Stambollit dhe me përkrahje të regjimentit të Pestë të Jeniçerëve, të cilin e përbënin rreth 12.000 jeniçerë shqiptarë, të ndërronte nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe ta vendoste në post, djalin e vëllait të tij, Sulltan Mahmudin e Parë.
Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në fshatin e quajtur Hurpisht, mbase afër Kavadarit apo Manastirit në Maqedoni. Qysh si fëmijë ishte rrëmbyer nga turqit dhe ishte dorëzuar në mesin e jeniçerëve. Në vitin 1720 ishte komandant i jeniçerëve në Vidin. Mori pjesë në një kryengritje që u zhvillua asokohe në Nish, dikur qytet shqiptar, tash i mbetur nën Serbi. Duke qenë i ekskomunikuar nga radhët e jeniçerëve, ai ka punuar si shitës ambulant nëpër rrugët e Stamollit. Më vonë kishte ngritur një hamam publik në qendrën e Perandorisë. Asokohe Halil Patrona tubonte rreth vetes jeniçerët e pakënaqur shqiptarë, në një mejhane të Gallata Sarajit. Të dhënat historike të asaj kohe dhe kronikat e Stambollit, bëjnë të ditur se regjimenti i Pestë i jeniçerëve, kishte rreth 12.000 jeniçerë, kryesisht shqiptarë. Halili ishte jeniçeri më me ndikim në këtë regjiment. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Musli bashi, Ali Kafexhiu, greku i pasur, Janaqi, Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Lazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë.
Halil Patrona, e bëri çështje, zërin e vegjëlisë dhe të rajasë, duke kërkuar nga Sulltani të hiqte me një ferman special “malikanet”, tatimet e përjetshme, që paguante populli dhe të jepte urdhër për shkatërrimin e 120 shtëpive publike, që kishte ngritur Sulltan Ahmedi në vendin e quajtur “Ujërat e Ëmbla”, po në Stamboll.
Kjo kryengritje në literaturën marksiste, njihet me emrin “Kryengritja e esnafëve” ashtu sikur e kishte emërtuar, vetë Karl Marksi.
Halil Patrona, ky vigan i historisë së përgjithshme, është anashkaluar nga tekstet e Historisë së popullit shqiptar. Vetëm në Fjalorin enciklopedik të vitit 1985, botuar në Tiranë, janë prezantuar disa zëra për biografinë e tij, e cila është më se e njohur në të katër anët e rruzullit, sidomos në Historinë e Perandorisë Osmane. Edhe Sami Frashëri e kishte radhitur në mesin e personaliteteve të njohura shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane, por, për shkaqe të panjohura e ka anashkaluar historinë e ngjarjeve të shtatorit, tetorit dhe nëntorit të vitit 1730.
Vendin meritor, këtij trimi me gjak arbri, ia njohu historiani i madh austriak, Jozef von Hammer, i cili në veprën e tij madhore “Historia e Perandorisë Osmane”, ( botuar në Zagreb në vitin 1978, nuk është përkthyer në gjuhën shqipe) në të cilën kishte punuar 30 vjet, përshkruan deri në detaje tronditjen më të madhe që kishte përjetuar Perandoria turke, nga kryengritja e Halil Patronës, njeriut të vegjëlisë i cili arriti ta bëjë çështje dhe ta artikulojë aspiratën e vegjëlisë, të trumave, që vdisnin urie në Stamboll, në kohën kur Sulltan Ahmedi III kishte ngritur dhjetëra hareme dhe në to mbante 200 gra robëresha, kishte ndërtuar 120 shtëpi publike në Stamboll dhe kishte urdhëruar të kultivoheshin kudo lulelajlet të quajtura “tulipanë”, prej nga edhe epoka e tij u quajt “Epoka e tulipanëve”.
Halil Patrona e detyroi Sulltan Ahmedin të dorëzonte kokat e kreut të shtetit, Vezirit të Madh Damad Ibrahim, Kryeqehajasë, Kryemyftiut dhe Kapudan Pashait, admiralit turk të flotës perandorake. Sulltani nën presionin e turmave kishte përfillur të gjitha kërkesat e kryengritësve, ndërkohë që kishte ngritur në krye të Këshillit të luftës Halil Patronën dhe disa nga jeniçerët e tij besnikë, duke iu premtuar, atij dhe të gjithë kryengritëseve, paqe dhe jetë të sigurt në hierarkinë sunduese.
Më vonë, pasi ishte fashitur kryengritja, e cila mori vetëm katër kokat e shtetit, kundërshtarët e Halil Patronës me lejen e Sulltanit, i cili edhe pse i kishte dhënë fjalën e kreut perandorak se nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe, Halil Patronës dhe 25 anëtarëve të elitës së tij u shkurtohen kokat tinëzisht dhe pabesisht.
Ndërkohë fillon sulmi kundër regjimentit të Pestë të jeniçerëve dhe për tri ditë luftime në Stamboll, në nëntor të atij viti, vriten rreth 7000 jeniçerë shqiptarë. Fushata kundër jeniçerëve shqiptarë u ndërmor edhe në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, ku ata që kishin shpëtuar duke ikur nga Stambolli ishin vendosur në malet e largëta të Atdheut. Ekspeditat ndëshkuese të udhëhequra nga Osman Topall Pasha i Moresë depërtuan në të gjitha vise e atëhershme të Shqipërisë, në kërkim të jeniçerëve të Halil Patronës.
Literatura historike për Halil Patronën, e tejkalon literaturën e prezantuar në gjuhët e huaja për Skënderbeun e mbase për të gjitha personalitetet shqiptare të kohës. Për Halil Patronën janë shkruar me mijëra shkrime, jo vetëm në gjuhën turke por në shumicën e gjuhëve të botës. Janë shkruar edhe tregime të shumta dhe romane. Shkrimtari më i madh i Hungarisë i shekullit XIX, Jokai Mor, autori i 100 romaneve dhe novelave të botuara dhe të përkthyera në 25 gjuhë të botës, ka shkruar romanin historik “Trëndafili i bardhë”, që i kushtohet kryengritjes së jeniçerëve shqiptarë në Stamboll në krye me Halil Patronën.
/fb

















