Hamasi pranon draftin, marrëveshja për Gazën brenda 24 orësh?!

Negociatorët izraelitë dhe ata të Hamasit janë vendosur t’ua paraqesin brenda 24 orëve të ardhshme liderëve të tyre marrëveshjen përfundimtare të armëpushimit, pranimi i së cilës, do t’i jepte praktikisht fund më shumë se një viti lufte në Rripin e Gazës. Duke cituar dy zyrtarë te përfshirë në bisedime, Euronews thotë se Hamasi e ka pranuar draftin e ujdisë së pushimzjarrit me Izraelin që do të përfshinte një pauzë në luftime dhe lirimin e menjëhershëm të një duzinë pengjesh izraelite. Plani, megjithatë, do të ketë nevojë edhe për dritën jeshile të palës hebreje. Sipas zyrtarëve, marrëveshja do t’i paraqitet për miratim kabinetit izraelit.

Më herët gjatë ditës së sotme, një tjetër zyrtar foli në kushte anonimiteti duke pohuar se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike. Një burim palestinez i tha sakaq më herët BBC-së se marrëveshja parashikon lirimin e tre pengjeve në ditën e parë të hyrjes në fuqi. Aktivizimi i saj do të pasohet nga tërheqja e trupave izraelite nga zonat e populluara në Gaza.

Nuk ka ende asgjë të sigurt mbi afatet kohore, por sipas presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, marrëveshja për pengjet dhe armëpushimi në Rrip mund të përfundojë deri në fund të javës. Ndërkohë që pritet finalizimi i ujdisë, në terren makthi vazhdon: Sulmet izraelite në Rripin e Gazës morën gjatë natës të paktën 18 jetë njerëzish, duke përfshirë këtu katër fëmijë e  gjashtë gra, njëra prej të cilave shtatzënë./TCH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne