Kemi propozuar 4 (katër) alternativa që shmangin populizmin dhe protagonizmin, kapjen nga karteli politik me synim përfaqësimin dinjitoz masiv të kombit shqiptar, rinisë e inteligjencës profesionale shqiptare
Nga Artur Shkurti
Drejtor, “Udha e shkronjave”
Tiranë, 16 qershor 2026
Udha e punës së mbarë
Përfaqësimi i rinisë së shkëlqyer
Tiranë, më 25 maj 2026 (Udha e shkronjave)
Një libër me rreth 300 faqe ku japim konceptin e një partie politike të ndërtuar enkas për një grup të rinjsh të shkëlqyer që i njohëm gjatë 30 vjetëve në veprimtaritë e shkollës “Udha e shkronjave” dhe të Olimpiadës Kombëtare. Janë botuar 10 000 emra të ardhur nga 50 qytete të Shqipërisë dhe 22 qytete të Kosovës, të moshës 18-36 vjeç, të ndarë në mbi 300 seksione me rreth 30 vetë çdo seksion dhe ku kemi shpjeguar tipare të statutit, i cili shmang kapjen e huaj, kapjen nga Karteli Politik, shmangien e shumicave të përhershme që godasin një pakicë të përhershme, kemi shmangur orientimin fetar, apo krahinor, apo politik, që t’i hapet udha vetëm interesit kombëtar.
Koncepti garanton shkëlqimin e grupit i cili i përket 5% të shtresës më të lartë të popullsisë. Ndërkohë anëtarët e një seksioni prej 30 vetësh janë me një diferencë të vogël moshore 1-3 vjet, i përkasin të njëjtit qytet dhe përgjithësisht e njohin njëri-tjetrin.
Asambleja Popullore
Përfaqësimi qytetarëve rreth arsimit
Tiranë, më 7 qershor 2026 (Udha e shkronjave)
Duke u bazuar në ligjshmërinë e krijimit të bordeve të prindërve të shkollave të cilët e njohin komunitetin dhe janë të shpërndarë njëtrajtësisht në territor, kemi krijuar dy koncepte: Asambleja Popullore (2) dhe Qeveri Teknike mbështetur në Asambletë Kombëtare Sektorialë.
Asambleja Popullore ndërtohet me përfaqësues të zgjedhur nga bordet e prindërve të shkollave, gjimnazeve dhe studentë e pedagogë të universiteteve. Kjo garanton që askush nuk e di se çfarë do të zgjedhë një shkollë dhe pikërisht kjo bëhet bazë e përfaqësimit më të mirë sipas interesit kombëtar dhe djeg mundësinë e manipulimit prej dikujt.
Në këtë mënyrë ngrihen Asambletë Lokale, të cilat ngrenë Asamblenë Kombëtare, me organet e veta drejtuese. Këto janë të afat të luajnë rolin e një formatori të Opinionit Publik, i aftë të ndikojë shtetin dhe qeverisjen dhe të kthehet në një parti kombëtare.
Lidhja e Fiseve Shqiptare,
Përfaqësimi i fiseve shqiptare
Tiranë, më 10 qershor 2026 (Udha e shkronjave)
Më 10 qershor, ditën e përkujtimit të Lidhjes së Prizrenit, propozuam një skemë tjetër përfaqësimi kombëtar që mbështetet në parimin “një fis, një përfaqësues”. Përsëri ashtu si çdo propozim tjetër nga katër propozimet, organizimi është i aftë të shtrihet në mënyrë kombëtare, dhe pa asnjë arsye pse të kundërshtohet një përfaqësim me “një fis një përfaqësues”.
Fiset përmes përfaqësuesve të tyre mund të formojnë Kuvendet Krahinore që janë të afta të drejtojnë në nivel lokal (qytete, fshatra e krahina) dhe në nivel kombëtar me Kuvendin e Fiseve Shqiptare.
Meqë ky është një organ më i besuar dhe më i lidhur me familjen dhe fisin, përveç formimit të organeve drejtuese kemi propozuar edhe një forcë rinore ku çdo fis do të përfaqësohej me 2 të rinj, të cilët do të realizonin punë praktike për të përfaqësuar forcën e Lidhjes së Fiseve Shqiptare.
Qeveri Teknike,
përfaqësimi profesional (Asamble Sektoriale)
Tiranë, më 16 qershor 2026 (Udha e shkronjave)
Ky propozim përsëri shfrytëzon bordet e prindërve të shkollave, dhe bordet e universiteteve të ndërtuar me studentë e pedagogë, por këtë radhë për të zgjedhur çdo bord 10 përfaqësues për 10 Asamble Kombëtare Sektoriale. Këto Asamble Kombëtare përcaktojnë politikën kombëtare të sektorit dhe e bëjnë të detyruar (me forcën e Opinionit Publik dhe saktësinë e organizimit e përfaqësimit) që anëtarët e propozuar të zgjidhen nga Kuvendi për të formuar Qeverinë Teknike.
1. Asambleja e Arsimit dhe e Universiteteve
2. Asambleja e Sistemit Shëndetësor dhe Mirëqënies
3. Asambleja e Forcave të Armatosura (Mbrojtje, Rend)
4. Asambleja e Rinisë dhe Sporteve
5. Asambleja e Sistemit të Drejtësisë
6. Asmableja Mjedis, Ndërtim, Infrastrukturë, Energjisë
7. Asambleja e Politikës së Jashtme
8. Asambleja e Ekonomisë dhe Financave
9. Asambleja e Kulturës, Arteve, Trashëgimisë
10. Asambleja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit rural.

















