Haradinaj: Liberalizimi i vizave nuk është kryer ende

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian (KE), Genoveva Ruiz – Calavera.

Në një deklaratë për media pas takimit, drejtoresha për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në KE, Ruiz–Calavera tha se biseda është zhvilluar për të parë prioritetet e përbashkëta Bashkimi Evropian (BE) – Kosovë, siç është implementimi i Agjendës së Reformave Ekonomike (ERA) e BE-së. Sipas saj, kjo agjendë do ta udhëheqë Kosovën për t’i kryer reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, përmirësimin e klimës së investimeve, edukimin dhe punësimin.

Duke theksuar se do të vazhdojnë që të konsolidojnë këtë progres me ndihmën e Zyrës së BE-së në Kosovë, e cila ka agjendën për ta afruar Kosovën me BE-në, Calavera tha se: “Duhet ta kuptojmë se të gjitha vendimet që merren nga qeveria duhet të jenë shumë të qëndrueshme në mënyrë që lë lëvizim përpara sidomos në lidhje me reformat në administratën publike. Vendimet që merren të sigurojnë qëndrueshmëri fiskale për shtetin dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që të mendojmë edhe për rininë që e ka Kosova dhe të investojmë për të ardhmen e tyre”.

Ajo potencoi se ka rezultate të rëndësishme të cilat janë arritur së bashku me Kosovën për të lëvizur përpara ku përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Sa i përket liberalizimit të vizave shpresoj që shumë shpejtë do të vijmë me një propozim për të bërë realitet këtë proces”, tha Ruiz-Calavera.

Kryeministri Haradinaj tha se beson që do ta kemi së shpejti vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, duke theksuar se nuk është kryer ende puna. Ai tha se jemi në një proces ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe serioz si Kosovë dhe se është shumë e rëndësishme të mos dërgojmë porosi të gabuara nga Kosova

“Njëkohësisht policia jonë dhe Ministria e Brendshme duhet ta rritë bashkëpunimin me të gjitha Ministritë e Brendshme të vendeve të BE-së që kanë vendim për liberalizim, sepse opinionet e ministrave të Brendshëm janë shumë të rëndësishëm kur ka të bëjë me liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj.

Ai nënvizoi se nuk do të shkojnë as refugjatë e as kriminelët nga Kosova në BE, sepse Kosova sipas tij, e ka arritur një shkallë të pjekurisë dhe funksionimit të shtetit. Në lidhje me bashkëpunimin Kosovë-BE, Haradinaj tha se do të jemi transparent për avancimin në rend dhe ligj duke bërë të ditur se përgjegjësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës është rritur pas përfundimit të mandatit të mëhershëm të EULEX-it. Në fund ai tha duhet të dërgojmë sinjale se jemi serioz tek BE-ja.

Kujtojmë se Genoveva Ruiz-Calavera po qëndron në Kosovë për të lansuar Programin e ri të Reformës Ekonomike dhe për t’u takuar me përfaqësuesit e Qeverisë, Kuvendit dhe aktorët e tjerë në vend. Në kuadër të dialogut për qeverisje ekonomike ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Qeveria e Kosovës për herë të katërt më 31 janar 2018 ka dorëzuar në KE programin e reformave në ekonomi. Në programin e ri ekonomik për periudhën 2018-2020 parashikohet zbatimi i 17 reformave. Ky program reformash dorëzohet në KE për t’u monitoruar më pas prej tij. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne