Në qershor, Gjykata e Lartë izraelite e bëri të detyrueshëm rekrutimin e hebrenjve ultra-ortodoksë, ose Haredi, në ushtri dhe ndaloi ndihmën financiare për institucionet fetare, studentët e të cilëve refuzojnë shërbimin ushtarak
Hebrenjtë ultraortodoksë janë rikthyer me demonstratat e tyre të martën kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak në ushtrinë izraelite, raporton Anadolu.
Dhjetëra persona u mblodhën pranë një zyre rekrutimi në rrugën “Jaffa” të Kudsit Perëndimor, duke brohoritur kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Disa demonstrues u ulën në tokë për të penguar trafikun, duke bërë që policia të ndërhynte dhe t’i largonte ata.
Policia tha se “që nga orët e hershme të mëngjesit, forcat e policisë janë vendosur pranë zyrës së rekrutimit në Kuds për të ruajtur rendin dhe për të siguruar vazhdimin e operacioneve të zyrës”.
Zona u përfshi nga protesta në tri lokacione pranë zyrës së rekrutimit, tha policia.
“Një grup protestuesish u mblodhën në një kryqëzim rrugësh, duke u përpjekur të bllokojnë hekurudhën e lehtë dhe trafikun e automjeteve. Ata gjithashtu u përleshën me forcat e sigurisë dhe brohoritën fyerje, duke përfshirë referimin ndaj policisë si ‘nazistë’”, shtoi ajo.
Në qershor, Gjykata e Lartë izraelite e bëri të detyrueshëm rekrutimin e hebrenjve ultraortodoksë, ose Haredi, në ushtri dhe ndaloi ndihmën financiare për institucionet fetare, studentët e të cilëve refuzojnë shërbimin ushtarak.
Hebrenjtë Haredi përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë së Izraelit prej rreth 9,9 milionë banorësh dhe nuk shërbejnë në ushtri, por ia kushtojnë jetën studimit të Toras.
Ligji izraelit kërkon që të gjithë izraelitët mbi 18 vjeç të shërbejnë në ushtri dhe përjashtimi i komunitetit Haredi ka qenë një çështje e diskutueshme për dekada./AA